“E mërzitshme kur i humbet këto ndeshje”, kapiteni i Tottenham: Vuajmë në finalizim

20/10/2022 17:33

Tottenham doli me kokën ulur nga Old Trafford mbrëmjen e së mërkurës teksa u mposhtën nga Manchester United me rezultatin 2-0.

Për të besuarit e trajnerit Antonio Conte, ky rezultat mund të kishte qenë edhe më i thellë nëse nuk do të ishte për portierin dhe kapitenin e skuadrës, Hugo Lloris që iu përgjigj në mënyrën e duhur tentativave nga Rashford, Fred apo Bruno Fernandes. Super Sport shkruan se pas sfidës, gardiani francez theksoi se skuadra po vuante disi në 1/3-tën e fushës ndërsa shtoi se nuk shqetësohet mbi faktin se dy humbjet e Tottenham deri më tani vijnë pas përballjes me rivalë si Arsenal dhe Manchester United.

“Është e vërtetë që kemi barazuar në transfertë me Chelsean dhe më pas kemi humbur me ekipe si Arsenal dhe Manchester United, megjithatë do të vijë dita kur edhe ata do të luajnë në fushën tonë. Gjithmonë është pak e mërzitshme kur humbet të tilla ndeshje, vuajtëm disi në pjesën e fundit, në 1/3-tat e fushës dhe nuk po gjenim pasimet e duhura.

Në këtë formë, nuk ia dolëm të krijonim raste shënimi. Por, nuk duhet harruar se kishim mungesa të rëndësishme si Kulusevski apo Richarlison. Ata janë lojtarë ofensive dhe në të tilla ndeshje, krijojnë shumë. Megjithatë, duhet t’i japim merita edhe United sepse ishin më të mirë se ne në fushë. Duhet të analizojmë ndeshjen dhe të vazhdojmë përpara, është një rrugë e gjatë deri në fund. Duhet të rikthehemi menjëherë pas kësaj humbje“, theksoi Lloris.

Top Channel