Brojën duan ta bëjnë “Djall”, Maldini e Massara takohen me ndërmjetësin pranë sulmuesit kuqezi

19/10/2022 13:46

Armando Broja është një nga emrat që Milani i ka në listën e prioriteteve për merkaton e verës. Sulmuesi i Chelsea-t pëlqehet nga drejtuesit e kuqezinjve, që kanë nisur punën për negociatat që do të afronin e 21-vjeçarin në Serinë A.

Siç bëjnë të ditur mediet italiane, mbrëmjen e së martës ka pasur një takim pikërisht për sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë. Massara dhe Maldini kanë takuar Cheikh Fall, një ndërmjetës i afërt me Armando Broja.

Aftësitë që Broja ka treguar me blutë e Londrës, por dhe me Southamptonin një edicion më parë, i kanë bindur drejtuesit e “Djallit” se për sulmuesin shtatlartë mund të investohet pa frikë. Sipas Super Sport te Chelsea gjithashtu janë të bindur se Broja mund të bëjë akoma dhe më tepër në të ardhmen dhe deri më tani kanë refuzuar çdo ofertë që ka ardhur për kartonin e lojtarit, ndaj te Milani do të duhet të përgatisin një ofertë joshëse, në mënyrë që të marrin 21-vjeçarin.

Krahas Brojës, gjasat janë që të ketë edhe një tjetër lëvizje në aksin Milano-Londër. Bëhet fjalë për Hakim Ziyech, që mbetet një dëshirë e hershme e kuqezinjve. Sulmuesi ka qenë dhe më parë në “radarët” e Milanit, që tani do të provojë të gjejë gjuhën e përbashkët me Chelsea për të aplikuar formulën e huazimit me të drejtë blerje, një operacion që mund të tentohet që në janar.

Top Channel