Moratti: Mourinho ndjehet i lumtur te Roma, por e penalizon merkatoja

18/10/2022 22:56

Impakti i Jose Mourinhos tek Roma ishte i menjëhershëm teksa në sezonin e tij të parë, ia doli të rikthejë verdhekuqtë te triumfi europian duke u dhuruar suksesin në Conference League.

Një trofe të cilën italianët e fituan në stadiumin Air Albania ndërsa tashmë në vitin e dytë në krye të Romës, Mourinho synon ta udhëheqë skuadrën drejt titullit kampion në Itali.

E lehtë nuk do të jetë, megjithatë një nga ata që e njeh mirë luzitanin është Massimo Moratti. Ish-presidenti i Interit theksoi se “Special One” ndjehet i lumtur te Roma, edhe pse aty nuk mund të transferojë lojtarët që ai dëshiron.

“Mourinho është përshtatur më së miri me ambientin te Roma dhe mendoj se është një eksperiencë futbollistike që po e shijon. Është në një klub në të cilin nuk mund të transferojë futbollistët që dëshiron pasi Roma duhet të qëndrojë e vëmendshme ndaj bilanceve”, u shpreh Moratti.

Top Channel