Në ndjekje të Vllaznisë/ Futboll për femra, Apollonia merr fitoren e dytë me Partizanin

17/10/2022 12:28

Krahas futbollit të meshkujve në këtë fundjavë është zhvilluar edhe java e dytë e kampionatit të femrave në futboll.

Për herë të parë skuadra e vajzave të Partizanit debuton në kompleksin e ri të klubit të tyre në ndeshjen përball Apollonisë së Fierit.

Në këtë sezon që sapo ka filluar për vajzat është ende një luks të pretendosh për tifozë të shumtë për të ndjekur këtë kategori, megjithatë mbetet me interes të veçantë tashmë kjo kategori e futbollit  duke parë edhe shembullin e mirë të suksesit të vajzave të Vllaznisë të cilat këtë mesjavë do të përballen në fazën e  grupeve të Champions League me Realin e Madridit në Shkodër.

Kjo arritje e vajzave të Shkodrës i ka dhënë shansin Shqipërisë që nga viti i ardhshëm të jetë shansi i dy skuadrave që të marrin pjesë në kupat e Evropës dhe jo vetëm një si ka qenë Vllaznia në këto vite.

Si rrjedhojë të gjitha skuadrat e tjera të vajzave mbeten në ndjekje të shembullit të ekipit shkodran që për hir të së vërtetës dominojnë bindshëm këtë kategori loje.

Por në ndeshjen e kësaj jave Apollonia arriti të fitojë ndaj vendaseve të Partizanit me shifrat 0-2 duke marrë edhe kryesimin e klasifikimit me 2 ndeshje dy fitore, ndërkohë që kryeqytetaset ende nuk kanë provuar shijen e pikës së parë.

Top Channel