“Jeni vrasës”, Liverpooli dënon ashpër koret e tifozëve të Man City

17/10/2022 10:35

Liverpool-Manchester City është kthyer në ndeshjen më të bukur të viteve të fundit në Premier League, por jo vetëm. Rivaliteti mes dy skuadrave ka prekur kulmin, “The Reds” e kanë nisur keq këtë sezon në Angli, por në “Anfield” treguan se janë gjallë dhe do të rivalizojnë deri në fund për fitimin e kampionatit, edhe pse për momentin Arsenali kryesues është shumë larg.

Sfida e zjarrtë u vendos nga goli i Momo Salah, ndërkohë që ndeshja prodhoi gjithçka, madje edhe episode aspak të pëlqyeshme dhe të patolerueshme. Tifozët miq nga Manchesteri nuk i kursyen koret e tyre – të neveritshme sipas reagimit të Liverpoolit – në lidhje me tragjeditë që u kanë ndodhur tifozëve të kuq në të kaluarën.

Klubi i Liverpoolit ka dalë me një qëndrim zyrtar rreth veprimit të tifozëve të “Cityzens”, duke theksuar se do të adresojë këtë çështje tek autoritetet përkatëse. Këta të fundit nuk i kursyen thirrjet fyese në lidhje me tragjedinë Heysel të 29 majit 1985, gjatë finales së Ligës së Kampionëve mes Juves dhe Liverpoolit.

Në ngjarjen e 37 viteve më parë mbetën të vdekur 39 tifozë, shumica italianë, dhe u lënduan rreth 600 të tjerë. “The Sun (gazeta e famshme angleze) kishte të drejtë, ju jeni vrasës“, ishte kori kryesor i tifozëve që kishin udhëtuar drejt Liverpoolit për të mbështetur skuadrën e Pep Guardiolës.

Jemi thellësisht të zhgënjyer që kemi dëgjuar thirrje të neveritshme në lidhje me tragjeditë e ndodhura në stadiumet e futbollit, të ardhura nga sektori i tifozëve mysafirëve. E njëjta zonë e tribunës u vandalizua me grafite të këtyre koreve. Ne e dimë ndikimin që një sjellje e tillë ka tek familjet, të mbijetuarit dhe të gjithë ata që kanë pasur lidhje me këto fatkeqësi.

Ne po punojmë në bashkëpunim me autoritetet kompetente dhe do të bashkëpunojmë edhe me Manchester Cityn, për të bërë gjithçka që është e nevojshme që një sjellje e tillë të zhduket njëherë e mirë nga bota e futbollit”, përfundon komunikata zyrtare e Liverpoolit.

Top Channel