Fantastik në goditjet e dënimit, “gjeniu” japonez tërhiqet në moshën 44-vjeçare

17/10/2022 12:13

Shunsuke Nakamura ka vendosur të tërhiqet nga futbolli aktiv në moshën 44-vjeçare. Mesfushori ofensiv është një ndër lojtarët më të talentuar që ka nxjerrë futbolli japonez bashkë me Hidetoshi Nakata.

Ai bëri debutimin e tij si futbollist profesionist në vitin 1997 me Yokohama Marinos, ndërkohë që në vitin 2002 u transferua në Serie A te Reggina. Në Kalabri zhvilloi tri sezone fantastike për t’u transferuar më pas te Celtic në Skoci, aty ku u kthye në legjendën e klubit të famshëm nga Gllasgou.

Me fanellën e Celticut fitoi tre tituj kampionë, një Kupë dhe dy Superkupa Skocie. Nakamura provoi edhe një aventurë të shkurtër në Spanjë tek Espanyoli përpara se të rikthehej në shtëpi. Aktualiusht luan në divizionin e dytë të futbollit japonez me Yokohama FC.

Ekipi siguroi të dielën ngjitjen në elitë dhe Nakamura deklaroi tërheqjen e tij në fund të sezonit. “Gjeniu” siç thirrej nga shokët dhe tifozët, mbahet mend për goditjet fantastike të dënimit, një specialitet i tij, teksa i paharrueshëm mbetet goli që realizoi ndaj Manchester United në Champions League (2006).

Top Channel