“Ai nuk dëgjon askënd”, flet agjentja e Pogba: Ideja e rikthimit lindi nga… tenisi!

17/10/2022 17:10

Paul Pogba u rikthye te Juventus këtë verë mirëpo mesfushori ende nuk ka luajtur asnjë minutë me bardhezinjtë duke qenë se pësoi një dëmtim në gju.

Gjithsesi, shpejt francezi pritet të rikthehet në fushë teksa ka nisur stërvitjen me grupin nën urdhrat e trajnerit Massimiliano Allegri. Tashmë, që periudhës së errët duket se po i vjen fundi, agjentja e lojtarit, Rafaela Pimenta, flet për vështirësitë që kaloi 29-vjeçari si dhe për prapaskenën e rikthimit te Juventus, teksa shton se ideja lindi nga një turne i tenisit.

“Si është Pogba? Entuziast, fuqia më e madhe e Pogba është që i kalon vështirësitë duke shfaqur një forcë të jashtëzakonshme dhe me një pozitivitet të madh. Ishte një moment pak javë më parë kur më tha se nuk do të mendonte për asgjë tjetër veç rikuperimit. Më tha se nuk do të dëgjonte askënd dhe do të përqëndrohej vetëm te trajtimi i gjurit të dëmtuar pasi i mungonin ndeshjet. Dhe këtë e ka bërë me sukses, nuk është marrë me asnjë dhe është përqëndruar te vetja, sepse nëse ai ka një objektiv atëherë është i aftë që të largohet nga e gjithë “bota” dhe të përqëndrohet tek synimi personal.

Rikthimi te Juventus? Ideja lindi në prill kur Arrivabene dhe Nedved ishin në Monte-Carlo për turneun e tenisit Master 1000. Kaluan në zyrën time, biseduam pak dhe iu thashë përse nuk e merrni Pogba? Ata u treguan menjëherë të gatshëm dhe më thanë se nëse Pogba dëshironte atëherë transferimi mund të mbyllej brenda ditës. Atëherë unë i thashë ta telefonin Pogba, ai ishte shumë i lumtur kur mësoi interesimin e Juventus.

Ai i ka përzemër bardhezinjtë dhe në fakt për të kishte edhe klube të tjera të interesuara, por nuk dëgjoi më asnjë ofertë pasi mësoi për Juventusin. E do shumë klubin dhe Italinë, sepse Juventusi i ka dhuruar momente magjike. Lojtarët mbeten shumë të lidhur me atë klubin e parë që i promovon dhe për Pogba, Juventusi do të thotë shumë. Prej momentit kur u largua nga skuadra, gjithnjë i ndiqte ndeshjet e saj dhe vuante ose gëzonte për to.

Rafaela Pimenta, l’avocate brésilienne de Paul Pogba, est un peu sa “seconde maman”.

Nuk e kam dëgjuar kurrë të ankohet për Juventusin, ose më saktë më është ankuar njëherë. Kur ishte në fillim te Juventus, hoteli në të cilin grumbullohej Juventusi, nuk i përshtatej Pogba. Mbaj mend që më thoshte gjithnjë se shtrati ishte i shkurtër dhe atij i mbeteshin këmbët jashtë. A po, ndonjëherë ankohej edhe për ushqimin, por asnjëherë për klubin. Ishte shumë i karikuar për rikthimin dhe më kërkonte me ngulm të mbyllja tratativën, për fat të keq u dëmtua. Por, tashmë është pranë rikthimit”, u shpreh Rafaela.

Top Channel