Të hënën nis viti akademik/ Kushi mesazh pedagogëve: Dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv është në çdo rast zgjidhja më e mirë

15/10/2022 14:19

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Ministrja e Arsimit iu është drejtuar me një mesazh pedagogëve që kanë paralajmëruar bojkot në rast se nuk merret parasysh kërkesa e tyre për rritje rroge.

Duke marrë shkas nga protestat e tyre të vazhdueshme, Kushi tha se në vend të konfrontimit, zgjidhja më e mirë është ulja në bisedime konstruktive, duke mirëkuptuar kushtet reale dhe burimet që janë në dispozicion.

Ministrja tha se mbështetja e qeverisë do të jetë sikurse u miratua rritja e pagave të pedagogëve me 15%, nga të cilat 7% do të mbulohet menjëherë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër me të ardhurat e universiteteve, duke theksuar se të ardhurat e universiteteve nuk janë vetëm tarifat e studentëve.

Mesazhi i Ministres Kushi drejtuar pedagogëve:

Dua t’i falënderoj shumë të gjithë pedagogët dhe stafin e universitetit sepse diplomimi juaj sot është edhe meritë e tyre padyshim. Kanë edhe ata kontribut në këtë sukses tuajin.

Dua të përcjell dhe një mesazh për pedagogët, të cilin e kam përsëritur dhe gjatë këtyre ditëve por dua t’jua përcjell edhe juve sot. Të ofrosh cilësi në arsimin e lartë është një përgjegjësi dhe detyrim i yni i përbashkët. Nuk është vetëm detyrim i qeverisë, natyrisht është detyrim i qeverisë por jo vetëm i qeverisë. Është përgjegjësi e jona, e politikëbërësve, e qeverisë, e ministrisë, por është edhe përgjegjësi e menaxhimit të universiteteve. Po ashtu është edhe përgjegjësi e juaja, e të gjithë pedagogëve dhe e stafit të universiteteve. Shpeshherë gjendemi përballë sfidave të vështira. Shpeshherë kemi debate me njëri-tjetrin. Shpeshherë kemi mosdakordësi. Por në vend që të konfrontohemi unë besoj që zgjidhja më e mirë është që ne të ulemi bashkërisht pikërisht me frymë konstruktive me frymë dialogu me frymë ndershmërie, dhe duke mirëkuptuar njëri-tjetrin. Duke mirëkuptuar kushtet reale dhe burimet që kemi në dispozicion.

Ne nga ana jonë do ta bëjmë këtë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë pa u ndalur në asnjë moment. Do ta bëjmë edhe nga ana financiare, siç e bëmë javën e kaluar, kur miratuam rritjen e pagave të pedagogëve me 15%, nga të cilat 7% do të mbulohet menjëherë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër me të ardhurat e universiteteve. Dhe këtu dua të theksoj që të ardhurat e universiteteve nuk janë vetëm tarifat e studentëve. Tarifat e studentëve janë vetëm një komponent i burimit të të ardhurave. Por një nga risitë e ligjit të arsimit të lartë ishte që i jep mundësi universiteteve që të ofrojnë shërbime për palët e treta dhe duke gjeneruar në këtë mënyrë të ardhura, me ekspertizë, me hartim projektesh, me asistencë teknike, me oponencë teknike. Ka shumë universitete që e bëjnë më së miri këtë duke siguruar të ardhura që më pas mund t’i shfrytëzojnë më pas për rritjen e pagave të pedagogëve.

E ndërkohë, ne do të punojmë edhe për të mbështetur kërkimin shkencor, edhe për infrastrukturën e kërkimit shkencor. Por ndërkohë do të kërkoja dhe nga ju sa më shumë përkushtim, sa më shumë përpjekje të përbashkëta, sa më shumë angazhim, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje për çdo shqetësim, për çdo problematikë që kemi. Të bëjmë më të mirën për studentët tanë.

Ne tashmë kemi një dialog me universitetet, me rektorët, me sindikatat, me pedagogët. Le ta shfrytëzojmë këtë komunikim për të bërë më të mirën për universitetet tona, më të mirën për studentët, por më të mirën edhe për pedagogët sepse jam e bindur se ata meritojnë shumë më shumë dhe patjetër që do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të tyre.

Në 17 tetor sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë ka planifikuar që nga ora 8 deri në orën 10 do të priten në auditore studentët e viteve të para për t’iu prezantuar e sqaruar arsyet pse po protestojnë.  Më pas do i ftojnë studentët që bashkë me stafet akademike të dalin në oborret e fakulteteve për të këmbëngulur në kthimin e dinjitetit të pedagogëve dhe rritjen e cilësisë së diplomave nëpërmjet investimit në kërkimin shkencor.

Pedagogët nuk mjaftohen me reagimin e qeverisë për rritjen e pagës 7% të mbuluar nga buxheti i shtetit dhe 8% në varësi të të ardhurave të universitetit,  ata kërkojnë 50% më shumë brenda dy viteve për të arritur të paktën nivelin e pagave të universiteteve publike në Kosovë, pasi mbajnë vendin e fundit në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA