Prag tragjedie pas aksidentit me një viktimë në Fushë-Krujë, ambulanca merr 18-vjeçarin e plagosur, aksidentohet rrugës për te Trauma

01/10/2026 18:11

Një aksident tragjik është shënuar në aksin rrugor Fushë-Krujë–Tiranë, në afërsi të fshatit Larushk, ku një 23-vjeçar me shtetësi egjiptiane ka humbur jetën.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Audi”, me drejtues një 18-vjeçar me inicialet M.S., dyshohet se është futur në një parakalim të gabuar.

Për të shmangur përplasjen, drejtuesi i një automjeti Volkswagen ka devijuar, duke përfunduar i përplasur me barrierat anësore të rrugës. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vend pasagjeri i automjetit, shtetasi egjiptian me inicialet E.A., 23 vjeç, i cili, sipas informacionit paraprak, punonte si mekanik në kompaninë e 18-vjeçarit.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor. Gjatë rrugës për në Tiranë, në afërsi të kryeqytetit, autoambulanca që transportonte të plagosurin është përplasur me një mjet tjetër.

Fatmirësisht, mjekët dhe i plagosuri nuk kanë pësuar dëmtime. I plagosuri është marrë nga një autoambulancë e Kamzës dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës, ndërsa stafi mjekësor i autoambulancës nuk ka pësuar dëmtime.

Top Channel