Rritja e çmimit të plehrave kimike ka vënë në vështirësi kultivuesit e drithërave në Myzeqe.

“Ne kishim mbjellë ndërkohë që çmimet e plehrave dhe pesticideve u rritën. U gjendëm në mes të një lumi dhe nuk dinim nga t’ia mbanim”, tha Mili Sako, bujk.

Mili Sako është një ndër bujqit më të mëdhenj të tokave të mbjella me drithëra, kryesisht grurë dhe misër në fshatin Shënpjetër të Fierit.

Ish traktoristi i kooperativës  u mbështet te përvoja e tij për të dalë me guxim në treg, me prodhimin që priste nga rreth 105 hektarët prej tokave të veta dhe të marra me qira.

Bujku thotë se e dinte që do të përballej ashpërisht me konkurrencën e importit, kur hodhi farën e grurit në arë, tetorin e kaluar. Por, trefishimi i çmimit të plehrave kimike, më vonë, ishte i paparashikueshëm për të.

“Kam marrë prodhime të mbara në verë. Por, ky prodhim nuk më gëzon, sepse shpenzimet e bëra janë tepër të larta”.

Mungesa e një pike për grumbullimin dhe magazinimin e prodhimit paraqet një vështirësi tjetër për prodhuesit e grurit. Mili  thotë se skema me naftë falas mbështet kultivuesit që kanë sipërfaqe toke deri në 10 hektarë. Ndërsa për një prodhues të madh, si ai, ndihma shtetërore është tejet e paktë.

“I kënaqur, nëse me paratë nga shitja e drithit do të arrij të mbuloj qoftë edhe vetëm shpenzimet e kryera”.

Ndërsa nuk është ende i sigurtë nëse do të mbjellë apo jo përsëri grurë këtë vjeshtë 64-vjeçari me lot në sy na thotë se po mendon edhe largimin nga vendi.

Top Channel