Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”, ka thënë Vuçiç në një adresim para gazetarëve.
Sipas tij, një propozim i tillë është i papranueshëm për Serbinë.
“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, sepse diçka e tillë do të kishte pasoja”, ka thënë mes tjerash ai.
Sipas tij, gabimi më i madh që ka bërë Serbia është kur ka pranuar që BE-ja të menaxhojë procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës.
“Prej atëherë, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, ne nuk kemi qenë në gjendje të fusim në agjendë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiç.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 7 tetor, se mbështet “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, ka thënë mes tjerash ajo, teksa ka komentuar çështjen e Asociacionit.
Presidenti serb ka thënë se pozicioni i Serbisë në relacion me Kosovën është duke u komplikuar secilën herë më shumë.
“Sepse shtetet e Perëndimit do të tentojnë, siç besojnë ato, të zgjidhin problemin e Kosovës në një mënyrë apo tjetër përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe sepse besojnë se në atë mënyrë janë duke zgjidhur çështje brenda-evropiane”.
Një tjetër arsye, sipas tij, lidhet me përpjekje e Perëndimit që presidenti rus, Vladimir Putin të mos ketë argument Kosovën për synimet e tij në Ukrainë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./rel
Top Channel