Mikelanxhelo është vetëm 14 vjeç dhe nuk di as të shkruaj e as të lexojë.
Nuk ka bërë asnjë ditë shkollë, shkolla e tij e vetme është lypja në rrugë. Nënën nuk e njeh pasi prej saj është braktisur që i vogël, ndërsa i ati është përdorues i lëndëve narkotike. Të vetmen gjë të shtrenjtë në jetën e tij ka gjyshen, e cila nuk ia ktheu kurrë shpinën.
Gazetarët e Fiksit u njohën me historinë e Mikelanxhelos në muajin Shtator dhe që prej atëhere lëvizën gjithë gurët institucional për t’i dhënë 14 vjeçarit ndihmë e mbi të gjitha dije.
Mikelanxhelo tregon se jeton me gjyshen e tij në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Gjyshja është e moshuar dhe kanë vetëm njëri tjetrin. Ai duhet të lypi çdo ditë për të siguruar një sasi parash që siç shprehet ai ” të blejmë bukë dhe kos”.
Historia e tij të rrënqeth tek tregon se e ëma e ka braktisur fare të vogël, pasi me të atin përdorues të lëndëve narkotive në familje ushtrohej dhunë ndaj saj. Prindërit divorcohen dhe për rritjen e tij është kujdesur gjyshja , që aktualisht është e pamundur fizikisht për ta bërë ende. Kështu që barra e familjes i ka mbetur Mikelanxhelos. ” Nuk di as të shkruaj as të lexoj, njoh vetëm lekët pasi më ka mësuar gjyshja t’i numëroj” shprehet ai. Gazetarëve të Fiksit ai i shpreh dëshirën që ka për të shkuar në shkollë, por edhe hallin se nuk ka kush të kujdeset për gjyshen dhe nuk ka rroba për t’u veshur për shkollë. Më pas të gjithë rrëfimin e tij e mbyll me një frikë të madhe që ka ” Kam frikë nëse nëna ndërron jetë unë me kë do të rri?”
Fiksi pas kësaj histori të trishtë referoi në institucione si një rast urgjent për ndërhyrje. Fillimisht në datë 16 shtator 2022 përmes një telefonate dhe më pas në një takimë në zyrat e ALO 116 111 të Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët në Shqipëri. Në po të njëjtën datë nga ana e zyrave të Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët në Shqipëri u bë dhe referimi i këtij rasti drejt Punonjëses për Mbrojtjen e Fëmijëve në Njësinë Administrative Nr. 9 në Tiranë. Por edhe pse kishin kaluar më shumë se 10 ditë nga referimi i këtij rasti, 14 vjeçari fokusohej nga kamerat e Fiksit se gjatë orëve të vona të natës endej rrugëve. Të ndodhur në këto kushte redaksia e Fiks Fare u interesua për të dytën herë pranë zyrave të Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve ku të vetmin argument që dhanë përmes një e-maili ishte se: ” Gjatë vizitës nuk kemi gjetur njeri në banesë dhe kemi lënë porosi te anëtarët e komunitetit që ta informojnë gjyshen të paraqitet pranë zyrave tona për ndihmë, duke qenë se zonja nuk disponon nr. kontakti dhe gjatë orëve të paradites nuk gjendet në banesë”.
Me datë 29 shtator redaksia e Fiks Fare përmes një e-maili informon për rastin Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku këta të fundit pas vlerësimit të situatës vendosën që 14 vjeçarin bashkë me gjyshen e tij, ta dërgonin në Korçë atje ku kanë edhe vendbanimin. Ku nga shërbimi social i qytetit u bë e mundur që Mikelanxhelo të fillojë shkollën nga klasa e parë. Mikelanxhelo dërgon një video mesazh për redaksinë e Fiksit ku thotë se falë tyre ai arriti të shkojë në shkollë.
Top Channel