Rama-Mitsotakis takim në samitin e Pragës/ Kryeministri grek: Mbështesim Shqipërinë në rrugën europiane

06/10/2022 22:26

Burime qeveritare greke kanë bërë me dije mbrëmjen e së enjtes se kryeministri Mitsotakis ka pasur edhe takime dypalëshe më kuadrin e samitit të Komunitetit Politik Evropian të Pragës midis të cilave edhe me kryeministrim Rama.

Sipas të njëjtave burime, dy liderët shkëmbyen mendime për të gjithë gamën e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet rajonale dhe konfirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Nga ana e tij, Kyriakos Mitsotakis nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për rrugën europiane të Shqipërisë, në përputhje me termat dhe kushtet e vendosura nga Këshilli Europian.

U diskutuan edhe efektet e krizës së luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor dhe nevoja për të ruajtur stabilitetin dhe për të forcuar sigurinë energjetike të rajonit.

Sipas burimeve qeveritare, Mitsotakis nënvizoi interesin e vendosur të Athinës për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri, me theks të veçantë sigurimin e të drejtave të tyre pronësore.

Ai iu referua gjithashtu edhe përcaktimit të kufirit detar të të dy vendeve dhe theksoi se dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, siç është rënë dakord, do të forcojë më tej marrëdhëniet e mira fqinjësore duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë.

Kyriakos Mitsotakis pati një takim të shkurtër edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA