Banka e Shqipërisë ka rritur për të katërtën herë radhazi normën bazë të interesit duke e çuar atë në 2.25%, nga 1.75% që ishte.
Politika shtrënguese që banka po ndjek synon ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit që në gusht ka prekur normën rekord prej 8%, kryesisht prej shtrenjtimit të fortë të ushqimeve dhe karburanteve.
“Lufta në Ukrainë është burimi kryesor i pasigurisë dhe përshkallëzimi i luftës, mund të çojë në çmime më të larta të mallrave, ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe në rritje më të ulët ose negative ekonomike rajonale e evropiane.
Duke gjykuar Këshilli Mbikëqyrës vendosi në mbledhjen e sotme të rrisë me 0.5 % normën bazë të interesit, duke e çuar në nivelin e 2,25 %, të rrijë 0.5% normën e interesit të depozitës 1 ditore duke e çuar në nivelin e 1.25% dhe të rrisë po ashtu 0,5% normën e interesit të kredisë 1 ditore duke e çuar në nivelin 3.25%”, theksoi Sejko.
Rritja e shpejtë e çmimeve shihet si rreziku kryesor për ekonominë sipas guvernatorit Gent Sejko që ka sjellë edhe një frenim të saj në tremujorin e dytë.
Në vijim shton ai kjo pritet të ndikojë ndjeshëm në fuqinë blerëse të qytetarëve duke sjellë ngadalësim të konsumit por edhe të investimeve nga bizneset.
Top Channel