Presidenti i FSHF-së Armando Duka, ka reaguar pas fitores së ekipit të Vllaznisë së vajzave, të cilat pas ndeshjes së sotme me ekipin ukrainas të Vorskla Kharkiv, do të marrin pjesë në Champions League për herë të parë.
Ai tha se ekipi i vajzave sot dha një leksion se si të fitohet dhe se është bërë një punë e jashtëzakonshme për të mbështetur vajzat por duhet punuar akoma më shumë.
Reagimi:
Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.
Jam i lumtur për vajzat e ekipit të Vllaznisë që sot na dhanë leksion sesi të fitojmë. Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë.
Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.
Në FShF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë.
E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë.
Urime Vllaznia. Urime vajza
Top Channel