Athina zyrtare duke iu përgjigjur notës së protestës që pala turke ka dorëzuar tek ambasadori grek në Ankara në lidhje me të ashtuquajturin dislokim të mjeteve të blinduara ushtarake në ishujt grekë Lesbos dhe Kios, i ka hedhur poshtë pretendimet turke në tërësi duke i quajtur të pabazuara dhe në mos përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Burime diplomatike greke kanë cilësuar qysh dje si ‘fake news’ publikimin e imazheve propagandistike nga agjencia turke e lajmeve Anadolu dhe media të tjera turke, të disa fotografive të regjistruara, sipas Ankarasë, nga dronët e ushtrisë turke ku duket zbarkimi i automjeteve të blinduara ushtarake në dy ishujt grekë pranë brigjeve të Turqisë.
Ministria e Jashtme turke ka thirrur ambasadorin grek, Christodoulos Lazaris, për shpjegime duke i kërkuar njëkohësisht ti jepet fund militarizimit të ishujve të Egjeut, si dhe rivendosjen e statusit të tyre jo-ushtarak.
Përgjigja e diplomatit grek ka qenë se Greqia nuk është vendi që kërcënon fqinjin e saj me luftë (casus belli), as nuk ka mbledhur flotën më të madhe ushtarake zbarkuese në brigjet e saj, siç ka bërë Turqia ,por respekton plotësisht detyrimet e saj që dalin nga Traktati i Lozanës.
Disa orë më vonë kanë ardhur edhe deklaratat e reja të presidentit turk:
“Siç kam thënë gjithmonë, Greqia nuk është e barabartë dhe bashkëbiseduese as politikisht, as ushtarakisht dhe ekonomikisht me ne . Greqia nuk është dhe nuk mund të jetë në të njëjtin nivel me Turqinë. Ne jemi të vetëdijshëm se qëllimet e vërteta të atyre që provokuan dhe lëshojnë politikanët grekë kundër nesh janë të pengojnë programin tonë për ndërtimin e një Turqie të madhe dhe të fuqishme duke humbur kohën dhe energjinë e saj dhe nga duke e shpërqendruar atë.”
“Kjo është një lojë e rrezikshme si për politikanët grekë, për shtetin grek, për popullin grek dhe për ata që i përdorin si kukulla”, ka thënë Erdogan.
Retorikat me Turqinë dhe deklaratat e politikës greke vazhdojnë të jenë temë e preferuar në mediet vendase, ndërsa në dy sondazhet e fundit 3 ndër 4 grekë deklarojnë se nuk kanë asnjë armiqësi me popullin turk.
Top Channel