Edhe pse rezultati nuk është ende përfundimtar, tashmë duket se zgjedhjet e përgjithshme të një dite më parë në Itali kanë prodhuar një fitues te qartë: Giorgia Meloni, nga partia radikale, Fratelli d’Italia duket se do të jetë kryeministrja e parë femër e vendit duke udhëhequr atë që konsiderohet se do të jetë qeveria më e anuar drejt ekstremit të djathtë nga koha e Benito Musolinit.
Përpara simpatizantëve të saj që festonin mes brohorimash, Meloni u zotua të bashkojë njerëzit, e të punojë njësoj për të gjithë italianët.
Giorga Meloni: Nga ajo çfarë pamë prej rezultateve paraprake, italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në favor të qeverisë së qendrës së djathtë të drejtuar nga Fratelli d`Italia. Nëse na besohet udhëheqja e këtij vendi, ne do ta bëjmë për të gjithë italianët. Do ta bëjmë këtë gjë me qëllimin të bashkojmë njerëzit, të forcojmë atë që na bashkon në vend të asaj që na përcan.
Më shumë se 50 milionë italianë votuan të djelën për parlamentin e ri. Që në sondazhet para zgjedhore aleanca e djathtë dilte kryesuese, ndërsa exit pollet konfirmojnë se Fratelli d’Italia ka mundur të marrë më shumë vota se Lega e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit së bashku. Partia e Melonit numëron 26% të votave, Lega 9% dhe Forza Italia 8%; koalicioni i tyre mbërrin kështu 44% të votave.
Aleanca zgjedhore e socialdemokratëve nën ish-kryeministrin Enrico Leta me partitë e majta dhe Të Gjelbrit dilnin në prognoza me rreth 25,5% të votave. Socialdemokratët e Letas e pranuan humbjen dhe bënë të ditur, se do të kalojnë në opozitë. Lëvizja Pesë Yjet arriti të marrë 15% të votave. Përpjekja e ish shefit të ekzekutivit, Giuseppe Conte për rivitalizimin e saj, rezulton të ketë qenë e pasuksesshme.
Me shifra të tilla, Meloni nuk druhet të pohojë se tashmë se qeveria e ardhshme e Italisë do të udhëhiqet nga FDI. Sidoqoftë, krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës mund të kërkojë javë të tëra. Zgjedhjet e parakohshme kombëtare të së dielës ishin pasojë e sherreve të brendshme partiake që çuan në kolapsin e qeverisë së Mario Draghit në korrik.
Top Channel