Iran, gratë udhëheqin protestat kundër qeverisë

26/09/2022 17:59

Në mbarë Iranian vazhdojnë protestat pas vdekjes në duart e policisë të 22-vjeçares Mahsa Amini. Më shumë se dhjetë ditë më parë, ajo u arresua nga policia morale, sepse nuk e kishte veshur siç duhet hixhabin.

Ndërkohë, iranianët kanë mbushur rrugët dhe po djegin shamitë në shenjë proteste ndaj autoriteteve. Uashingtoni ndërkohë po shpreh mbështetjen për demostratat.

“Ky është viti i gjakut”, brohorasin demonstruesit në Teheran. Ndërsa ushtria është futur në rrugët e qytetit, Irani po përjeton javën e dytë të trazirave masive pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.

Ajo u zhduk pasi u ndalua nga policia në fillim të muajit për shkelje të paqarta të ligjeve të moralit. Tre ditë më vonë ajo u gjet e vdekur. Irani thotë se ka dhënë urdhër për hetime. Vdekja e zonjës Amini ka ripërtërirë thirrjet kundër Republikës Islamike, ndërsa protestat kanë fituar mbështetje botërore.

Protestat botërore përkuan me punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, i cilësoi sanksionet perëndimore si armë e shkatërrimit në masë kundër popullit iranian. Ai la të kuptohet se është i gatshëm për t’u kthyer në bisedimet, që synojnë ripërtëritjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

“Irani është shtet sponsorizues i terrorizmit. Ata vazhdojnë me thirrjet për vdekjen e Amerikës. Nuk mund t’i lejojmë ata të kenë armë bërthamore. Kjo administratë është shumë e etur për një marrëveshje bërthamore me Iranin. Nuk duhet ta bëjmë këtë. Kjo administratë dëshiron të dërgojë dhjetëra miliarda dollarë në Iran për një marrëveshjes që nuk do të jetë e mirë për Amerikën”, tha senatori republikan John Barrasso.

Ndërsa demonstruesit përleshen me policinë dhe djegin publikisht shamitë, një sfidë e ndjeshme ndaj pushtetit, administrata e Presidentit Biden premton angazhimin për bisedimet bërthamore dhe mbështetjen për demonstratat për të drejtat e grave.

“Ato (demonstratat) pasqyrojnë një besim të thellë në mesin e popullit iranian, grave iraniane, se ata meritojnë dinjitetin dhe të drejtat e tyre. Shtetet e Bashkuara janë shprehur qartë dhe me vendosmëri, siç u shpreh Presidenti Biden nga tribuna e OKB-së, në emër të të drejtave universale të njeriut për të gjithë qytetarët dhe të gjitha gratë në Iran”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Kur flitet për drejtat e grave, Irani renditet ndër të fundit në shkallë globale. Sipas një raporti të vitit 2020 nga Forumi Ekonomik Botëror, vetëm Republika Demokratike e Kongos, Siria, Pakistani, Iraku dhe Jemeni kanë gjendjen më të keqe. Gratë që dalin pa hixhab në publik mund të përballen me shumë vite pas hekurave.

Dhjetëra protestues iranianë kanë humbur jetën gjatë kësaj vale protestash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA