Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg dy rusët dhe ukrainasin, të cilët u arrestuan pas sulmit në uzinën armëve në Gramsh.
Apeli vendosi të miratojë vendimin e gjykatës së Elbasanit, duke lejuar kërkesën për rekurs brenda 45 ditësh nga dhënia e vendimit.
Që në fillim të seancës avokati i shtetasit ukrainas deklaroi se kërkon përkthyes të gjuhës amtare për klientin e tij dhe jo përkthyes të gjuhës ruse.
I arrestuari Alpatos i pyetur nga gjykata deklaroi se nuk e kupton mirë përkthyesen nga rusishtja, duke mbështetur kërkesën e avokatit të tij Saimir Vishaj.
“Nuk mund t’ju lejoj që ju të deklaroni se kjo është lojë e avokatit”, reagoi Vishaj, duke theksuar se me këtë qëndrim vendimi i gjykatës është vendosur paraprakisht.
Relatori Florian Kalaja konstatoi se pretendimi i personit nën hetim dhe mbrojtjes së tij është më shumë një pengesë procedurale nga ana e mbrojtjes se një nevojë komunikimi dhe e rrëzoi kërkesën e avokatit.
Vishaj deklaroi se është arbitrare t’i mohohet gjuha amtare dhe t’i flitet në rusisht kur i vëllai është gjymtuar nga sulmet ruse në Ukrainë. Sipas Vishajt, autorësia e goditjes ka një emër, atë të Mikhail Zoren, ndërsa klienti i tij pasi ka ardhur nga Durrësi ka kontaktuar në Instagram me dy shtetasit e tjerë dhe kanë vendosur të lëvizin me makinën luksoze bashkarisht.
Edhe dy shtetasit rusë kanë kërkuar të njëjtën masë sigurimi personal, atë të detyrimit për paraqitje pranë policisë gjyqësore. Vishaj kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj klientit dhe t’i zhvillojë online studimet e masterit.
Mbi shtetasit rusë Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedis Alpatov rëndojnë akuzat për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.
E gjithë seanca e sotme me kërkesë të gjykatësit u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.
Top Channel