Autoblinda të Ukrainës dhe tanke të braktisura ruse në rajonin lindor të Donbas (fotot)

16/09/2022 19:17

Në pamjet e shpërndara sot nga territoret e kapura nga Kievi në rajonin lindor Donbas, shiheshin ushtarë ukrainas që lëviznin në autoblinda si dhe mjete të rënda të braktisura nga ushtria ruse që ruheshin nga ukrainasit.

Pamjet e shkatërrimit dhe fortesat e braktisura të hekurit tregojnë masën e frikshme të konfliktit dhe kthesat e paparashikueshme që lufta e tmerrshme merr.

Rrjeti francez AFP raportonte sot se ushtria e Kievit ka nisur atentate të shënjestruara ndaj zyrtarëve në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Sot në rajonin lindor të Lugansk kontrolluar nga Rusia u vra në një atentat kryeprokurori, njoftonin autoritetet pro-ruse, ndërsa të tjera përplasje kishin ndodhur në jug.

Ky nuk ishte rasti i vetëm i atentateve të shënjestruara ndaj zyrtarëve pro-rusë në rajonet e kontrolluara nga Moska.

“Sot prokurori i përgjithshëm Sergei Gorenko dhe zëvendsja e tij Ekaterina Steglenko u vranë në një sulm terrorist,” njoftonte zyra e shtypit e republikës pro-ruse të Lugansk.

Zëdhënësi Leonid Pasechnik tha se atentati ndaj zyrës së prokurorit “tregonte se regjimi i Kievit kishte kaluar çdo limit të mundshëm”.

Dy zyrtarë të tjerë, bashkëshortë burrë e grua,  raportohej se ishin vrarë në qytetin port të Berdyansk, nga administrata pro-ruse në Zaporizhzhia.

Viktimat ishin Oleg Boyko kreu i përkohshëm i administratës në Berdyansk, dhe gruaja e tij  Lyudmyla e cila drejtonte komisionin e përgatitjes së referendumit për bashkimin me Rusinë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA