Ukraina sulmon Moskën/ Mbetjet e një droni bien mbi një ndërtesë, humb jetën një foshnjë 6-muajshe
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite duket se kanë hyrë në një fazë të re tensioni, ndërsa Uashingtoni po shqyrton mundësinë e reduktimit të pranisë së tij ushtarake në mbretëri.
Sipas një raporti të Wall Street Journal, administrata amerikane po diskuton ripozicionimin e një pjese të forcave të saj në Lindjen e Mesme drejt vendeve që mbështetën më aktivisht operacionet amerikane gjatë krizës së fundit, si Izraeli dhe Jordania, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Sipas raportit, përplasjet mes dy aleatëve u përshkallëzuan gjatë operacionit amerikan “Projekti Liria”, që synonte garantimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Arabia Saudite refuzoi fillimisht përdorimin e bazave ushtarake dhe hapësirës së saj ajrore, duke kërkuar që kriza me Iranin të zgjidhej përmes negociatave dhe jo me ndërhyrje ushtarake. Si pasojë, SHBA u detyrua të pezullonte operacionin vetëm pak ditë pas shpalljes së tij nga presidenti Donald Trump.
Wall Street Journal raporton gjithashtu se administrata amerikane paralajmëroi Riadin se mund të vononte dërgesat e raketave interceptuese, të konsideruara jetike për mbrojtjen ndaj kërcënimeve iraniane, nëse Arabia Saudite nuk ndryshonte qëndrim. Edhe pse më pas mbretëria lejoi përdorimin e bazave dhe hapësirës ajrore, zyrtarët amerikanë besojnë se dëmi në marrëdhëniet dypalëshe është i konsiderueshëm.
Raporti përmend edhe biseda telefonike të tensionuara mes presidentit Trump dhe princit të kurorës Mohammed bin Salman, të cilat përshkruhen si ndër më të vështirat në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet e fundit.
Tensionet diplomatike u reflektuan edhe në turin rajonal të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Bahreinin, por jo Arabinë Saudite. Burime pranë Riadit e interpretuan këtë si një sinjal të përkeqësimit të marrëdhënieve, ndërsa Uashingtoni mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se Rubio zhvilloi takim me ministrin e Jashtëm saudit në kuadër të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Sipas raportit, mosmarrëveshjet mes dy vendeve kishin nisur edhe përpara përshkallëzimit të konfliktit. Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit kishin paralajmëruar SHBA-në se një përpjekje për rrëzimin e regjimit iranian mund të destabilizonte rajonin, të mbyllte Ngushticën e Hormuzit dhe të godiste tregjet globale të energjisë.
Megjithatë, gjatë konfliktit, Arabia Saudite dhe aleatët e saj lejuan përdorimin e bazave ushtarake nga SHBA dhe, sipas zyrtarëve amerikanë dhe arabë, morën pjesë në mënyrë jo publike në operacione kundër sistemeve iraniane të raketave dhe dronëve.
Ndërkohë, Irani reagoi me sulme ndaj objekteve energjetike, aeroporteve dhe infrastrukturës kritike në vendet e Gjirit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e rajonit. Raporti shton se Riadi i kërkoi Uashingtonit të rikthehej te zgjidhjet diplomatike, të hiqte bllokadën ndaj porteve iraniane dhe të rifillonte negociatat me Teheranin. Pavarësisht këtyre kërkesave, administrata Trump nuk e riaktivizoi operacionin “Projekti Liria”, por vijoi në mënyrë diskrete koordinimin e kalimit të anijeve tregtare në Gjirin Persik gjatë natës.
Top Channel