Ukraina sulmon Moskën/ Mbetjet e një droni bien mbi një ndërtesë, humb jetën një foshnjë 6-muajshe

01/07/2026 14:43

Një foshnjë gjashtëmuajshe humbi jetën të martën pasi mbeturinat e një droni ranë mbi një ndërtesë private në rajonin e Moskës, njoftoi guvernatori Andrei Vorobyov përmes Telegramit.

Sipas tij, foshnja u nxor e gjallë nga ndërtesa së bashku me një fëmijë tjetër dhe dy persona të tjerë, por ndërroi jetë gjatë transportimit drejt spitalit.

Autoritetet ruse raportuan edhe viktima të tjera nga sulmet me dron. Në rajonin e Belgorodit, një burrë humbi jetën pas një sulmi që, sipas autoriteteve lokale, u krye nga Ukraina. Ndërkohë, në rajonin Tver, një grua 61-vjeçare humbi jetën pasi mbetjet e një droni të rrëzuar ranë mbi një banesë.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina goditi për herë të dytë brenda një jave qendrën e komunikimit satelitor në Dubna, një objekt që, sipas Kievit, përdoret nga ushtria ruse për zbulim dhe koordinimin e operacioneve ushtarake.

“Sot, sulmet tona kundër infrastrukturës që mbështet luftën e Rusisë goditën sërish qendrën e komunikimit satelitor në Dubna, në rajonin e Moskës”, shkroi Zelensky në Telegram.

Sipas tij, objekti ndodhet më shumë se 1,300 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës bëri të ditur se e njëjta qendër ishte goditur edhe javën e kaluar.

Nga ana tjetër, Kremlini nuk ka konfirmuar se objekti është sulmuar. Megjithatë, guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, tha se një dron goditi një “ndërtesë administrative” në qytetin Dubna, pa raportuar për viktima.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjithsej 419 dronë gjatë natës së së hënës.

Ndërkohë, në Ukrainë, autoritetet raportuan se të paktën dy persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ruse në rajonin e Zaporizhias.

Guvernatori rajonal Ivan Fedorov tha se forcat ruse goditën qytetin me shtatë bomba të drejtuara brenda rreth 90 minutash. Sipas tij, viktimat janë dy burra, 62 dhe 45 vjeç, ndërsa 15 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore pas sulmit.

Top Channel