Ambasadorja Kim pas takimit me Ballën dhe Alibeajn: Partitë politike të rrisin transparencën për të refuzuar minimin e demokracisë në Shqipëri

16/09/2022 17:12

“Partitë politike duhet të punojnë së bashku për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë”.

Kështu u shpreh ambasadorja amerikane Yuri Kim, përmes një statusi në “Twitter” pas takimit që zhvilloi sot me kryetarët e Grupeve Parlamentare, Taulant Ballën dhe Enkelejd Alibeajn.

“Partitë politike duhet të punojnë për të çuar Shqipërinë para me vendosmëri drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet më tej, ndërsa theksohet sërish rëndësia e zbatimit të reformës në drejtësi.

Statusi i ambasadës amerikane:

Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri. Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjitha partive politike, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, për të përmirësuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe për të çuar Shqipërinë para me vendosmëri drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate.
Pas takimeve në KQZ, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim vijoi axhendën e takimeve politike në Kryesinë e Kuvendit.

Në takime të ndara, Kim bisedoi këtë të premte me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, si edhe kreun zyrtar të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Takimi në kryesinë e kuvendit vjen një ditë pas takimeve që ambasadorja amerikane zhvilloi me kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi e më pas edhe me praninë e përfaqësuesve të partive politike parlamentare, ku shprehu shqetësimin e SHBA për influencën ruse në veprimtarinë e partive politike në Shqipëri.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel