“Evropa nuk mund të jetë plotësisht e bashkuar pa rajonin tonë”/ Hoxha në takimin e ministrave të Jashtëm të Evropës Qendrore në Bukuresht

06/11/2026 18:11

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në Bashkimin Evropian duhet të ecin paralelisht, duke theksuar se një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur dhe më i qëndrueshëm do të thotë një Evropë më e fortë.

Gjatë takimit ministror të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, Hoxha theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në një kohë kur Evropa po përballet me ndryshime të thella në fushën e sigurisë dhe gjeopolitikës.

“Rajoni ynë nuk mund të bëhet plotësisht evropian nëse mbetemi të distancuar nga njëri-tjetri, dhe Evropa nuk mund të jetë plotësisht e bashkuar dhe e fortë për sa kohë rajoni ynë mbetet jashtë saj”, deklaroi ministri.

Sipas Hoxhës, heqja e barrierave tregtare, ndërlidhja e sistemeve energjetike dhe korridoreve të transportit, njohja e kualifikimeve profesionale dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën digjitale dhe të sigurisë janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian.

“Kur heqim barrierat tregtare, ndërlidhim sistemet tona energjetike dhe korridoret e transportit, njohim kualifikimet profesionale, forcojmë ndërlidhjen digjitale dhe bashkëpunojmë më ngushtë për sigurinë, nuk po ndërtojmë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Po përgatisim rajonin tonë të funksionojë si pjesë e tij”, u shpreh Hoxha.

Ministri vlerësoi gjithashtu rolin e Nismës së Evropës Qendrore si një platformë për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe për avancimin e aspiratave evropiane të vendeve anëtare.

Në përfundim, Hoxha theksoi se ekonomitë më të ndërlidhura dhe marrëdhëniet më të ngushta mes shoqërive kontribuojnë në forcimin e besimit dhe sigurisë në rajon.

“Në fund të fundit, një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur, më bashkëpunues dhe më i qëndrueshëm do të thotë një Evropë më e fortë. Kjo është Evropa që na duhet: më e ndërlidhur, më e sigurt, më e qëndrueshme dhe, në fund, e bashkuar në tërësinë e saj”, përfundoi ministri.

 

Top Channel