Një ngjarje tragjike ka ndodhur në ishullin e Rodosit në Greqi. Policia greke kishte marrë denoncim prej familjarëve të një 46-vjeçari shqiptar, i cili ishte larguar për të shkuar në punë që në datën 28 gusht dhe nuk ishte kthyer në banesë.

Mbas kërkimeve disa ditore, mbrëmjen e së djelës 3 shtator u gjet trupi i 46-vjeçarit, i masakruar në rrugën që lidh të fshatin Psinthu me zonën turistike Afando.

Policia tha se viktima ishte vrarë dhe menjëherë nisi hetimet të cilat konkluduan se autori i dyshuar ishte një shtetas grek 53 vjeç nga fshati Kalithea, me të cilin viktima kishte mosmarrëveshje ekonomike.

I shoqëruar dhe marrë në pyetje intensive prej më shumë se 24 orë, autori u dyshuar pranoi gjatë orëve të mëngjesit të së martës se kishte qenë ai që ekzekutoi barbarisht 46-vjeçarin, pasi nuk donte ta paguante për punën që viktima kishte bërë në hotelin e autorit.

46-vjeçari shqiptar ishte babai i 3 fëmijëve të mitur. Banorët thonë se familja shqiptare ishte shembull pozitiv në zonën që banonte. Autori grek i vrasjes do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie.

Top Channel