Top Channel po sjell projekte nga më të ndryshme televizive që i kanë mbajtur njerëzit të ‘gozhduar pas ekranit’.
Pas “Big Brother VIP” që padyshim ishte aq i suksesshëm sa jehona e personazheve vazhdon edhe sot, sektori i spektaklit dhe argëtimit është mbuluar më së miri edhe nga programe të të tjera si “Kepi i Tundimeve” apo “Për’Puthen”. E në gjithë këto prodhime, një tjetër spektakël do të nisë shumë shpejt dhe bëhet fjalë pikërisht për “Dancing with the Stars”.
Para pak kohësh ishte Sara Hoxha, ku në një nga intervistat e saj të rralla na tregoi për projektet e ardhshme nga ana profesionale. Për herë të parë zbuloi rikthimin e një projekti shumë të madh në Shqipëri, i cili është spektakli “Dancing with the Stars”.
Ndërkohë, pak ditë më parë u zbulua se pikërisht Kledi Kadiu do të jetë kryetar jurie në “Dancing with the Stars”. Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë Top Channel që kanë konfirmuar se z. Kadiu do të jetë në programin që nis së shpejti në Top Channel.
Me siguri ajo që po presin të gjithë tashmë është se kush do të jenë personazhet vip që do t’i bashkohen spektaklit. Epo emrin e parë e kemi tashmë dhe bëhet fjalë pikërisht për artistin vizual, këngëtarin dhe solistin e grupit “Asgjë Sikur Dielli”, Alban Nimani. Lajmi u bë me dije nga faqja zyrtare e “Dancing with the Stars” në Instagram.
Një artist me kuptimin e plotë të fjalës, duket se Albani është i gatshëm të sfidojë veten në një dimension tjetër të artit, dhe pasi e kemi parë si këngëtar, tashmë ai do të provojë veten edhe në kërcim. Nuk kemi asgjë tjetër veçse t’i urojmë fat Nimanit në këtë sfidë të re për të.
Vlen për t’u theksuar se programi më i ri i kërcimit do të nisë shumë shpejt, pikërisht në tetor në Top Channel. Ndaj me siguri, jemi shumë afër zbulimit edhe të pjesëmarrësve të tjerë të këtij spektakli magjik./ Top Albania Radio
Top Channel