Flukset e gazit rus përmes tubacionit Nord Stream 1 për në Gjermani do të mbeten të pezulluara përtej të shtunës, deri në një afat kohor të pacaktuar, pasi Gazprom tha se kanë zbuluar një rrjedhje nafte.
Njoftimi në minutën e fundit nga gjiganti rus, që kishte pezulluar punën që nga e mërkura për çështje mirëmbajtjeje, kërcënon ta çojë kontinentin evropian në një krizë energjetike këtë dimër.
Gazprom duke publikuar një foto tha se rrjedhja u gjet në stacionin e kompresorit Portovaya dhe se deri në zgjidhjen e këtij problem furnizimet do të mbeten të pezulluara.Që nga qershori në fakt, Gazprom filloi të shkurtojë furnizimet e gazit natyror në tubacion.
Përpara se flukset të ndaleshin tërësisht, ato ishin në rreth 20 për qind të kapacitetit.Pas njoftimit të Gazpromit, një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë tha se Gjermania është më e përgatitur se më herët për ndalimin e gazit rus.
“Ne nuk kemi asnjë koment të veçantë për të bërë (për njoftimin e Gazprom), por ne kemi parë mungesën e besueshmërisë së Rusisë në javët e kaluara dhe kështu kemi vazhduar të marrim masa për të forcuar pavarësinë tonë”, tha zëdhënësi.
Zyrtarët gjermanë vazhdimisht kanë thënë se frenimi i furnizimeve është një përpjekje e Moskës për të ndëshkuar Berlinin për qëndrimin e tij ndaj luftës në Ukrainë .
Tubacioni Nord Stream 1 është një arterie kyçe që bart furnizimet e mëdha të gazit të Rusisë në Evropë, Lajmi për mbylljen vjen në të njëjtën ditë kur ekonomitë më të mëdha të Perëndimit ranë dakord të vendosin një çmim fiks për naftën ruse në një përpjekje për të kufizuar aftësinë e Moskës për të financuar luftën e saj.
Top Channel