Rusia mbylli këtë javë një tubacion të madh gazi për në Gjermani, ndërsa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara e akuzuan presidentin rus Vladimir Putin se po e përdor energjinë si armë.

Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, ka shqetësime mjedisore në rritje lidhur me një shpërthim të pashpjegueshëm të gazit rus pranë Arktikut.

Rusia po djeg sasi të mëdha gazi pranë kufirit finlandez. Edhe pse djegia është e zakonshme në këtë industri, Rusia ka djegur gaz me vlerë rreth 10 milionë dollarë çdo ditë për dy muaj, ndërsa Evropa vuan nga mungesat. Ekspertët e cilësojnë atë si një fatkeqësi mjedisore.

“Për shkak të luftës në Ukrainë, ka shumë pak informacion se çfarë po ndodh në të vërtetë atje. Kështu që ne vetëm mund të spekulojmë se për momentin ka disa vështirësi teknike”, thotë Esa Vakkilainen në universitetin Lut.

Vendndodhja është në Portovaya në Rusi – vendi i stacionit të kompresorit për tubacionin e gazit Nord Stream 1 që kalon nën Detin Baltik në Gjermani. Gazpromi, në pronësi të Rusisë nuk ka komentuar mbi shpërthimin.

Javët e fundit Rusia uli sasinë e gazit që dërgon përmes tubacionit Nord Stream 1 në vetëm 20 për qind të kapacitetit. Dhe këtë javë ai u mbyll tërësisht për tre ditë. Rusia thotë se turbinat kanë nevojë për mirëmbajtje. Evropa e kundërshton këtë – dhe akuzon Kremlinin se po e përdor gazin si armë.

“Mendoj se është një lloj loje. Problemi ynë është se tani ne nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi siç duhet kësaj loje” thotë Markus Soeder, guvernator i Bavarisë.

Çmimet e gazit në Evropë janë rritur gati dhjetë herë sa çmimi mesatar gjatë dekadës së fundit. Gjermania shpalli një krizë gazi në qershor – dhe paralajmëroi se konsumatorët dhe bizneset duhet të ulin konsumin e tij. Konsumi ka rënë me rreth 20 për qind.

Në një fjalim të zymtë, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi “fundin e begatisë”.

“Liria jonë – sistemi i lirisë në të cilin jemi mësuar të jetojmë – ka një kosto”, tha zoti Macron.

Rusia furnizoi Bashkimin Evropian me 40 për qind të nevojave të gazit vitin e kaluar. Ndërsa Kremlini mbylli rubinetat, Evropa po përpiqet të gjejë burime alternative. Importet e gazit natyror të lëngshëm – duke përfshirë nga Shtetet e Bashkuara – kanë ndihmuar në mbushjen e depozitave të gazit me 80 për qind të kapacitetit, dy muaj përpara objektivit të BE-së. Kjo ka qetësuar tregjet.

“Magazinimi në vetvete nuk mjafton për dimrin. Nëse Rusia ndërpreret furnizimin, siç pritet të ndodhë, gazi i lëngshëm që mund të sigurojmë, megjithë rezervat e tanishme, do të mjaftonin për dy muaj e gjysmë në sezonin e dimrit. Dhe pastaj, Evropa mbetet e bllokuar” thotë analisti Tom O’Donnell.

Evropa po përpiqet të heqë dorë nga gazi i Putinit. Por analistët thonë se do të duhen të paktën dy vjet.

“Ndërkohë, ai ka leva dhe do t’i përdorë sa mundet përpara se të humbasë plotësisht biznesin. Për Putinin, varësia e Evropës nga gazi rus është shumë më e madhe sesa le të themi rëndësia e këtyre parave, sepse ai fiton shumë më tepër para nga nafta”, thotë analisti.

Në mbarë Evropën, terminalet e rinj të gazit të lëngshëm janë në ndërtim e sipër; termocentralet e vjetra të qymyrit dhe ato bërthamor po ndizen përsëri; ka investime të mëdha në energjinë e rinovueshme. Por në aspektin afatshkurtër, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme – dhe qeveritë po paralajmërojnë për një dimër të vështirë përpara./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA