Ngjarja tragjike e vdekjes së 7-vjeçares Jonada Avdia ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe Britaninë, ku së fundmi “Daily Mail” ka ritreguar të gjithë situatën.
Faqja ka shkruar të gjithë tragjedinë që ndodhi në plazhin e Potamit, duke nisur që nga përplasja e vogëlushes nga skafi që drejtohej nga Arjan Tase dhe deri tek detajet e jetesës së tyre në territorin e Britanisë së Madhe.
Duke qenë që familja Avdia kishte vite që jetonte në Londër dhe se tashmë ishin pajisur me shtetësi britanike, kjo gjë e ka shtyrë akoma më shumë “Daily Mail” të shkruajë për tragjedinë.
Madje ata e kanë konsideruar Jonadën shtetase britanike, e cila kishte ardhur me pushime së bashku me prindërit me origjinë shqiptare.
Ja çfarë shkruan “Daily Mail” :
Jonada, e cila jetonte me babanë me origjinë shqiptare Bledarin dhe nënën e saj në Barking, në lindje të Londrës , u plagos për vdekje kur Tase kaloi me skafin e tij përmes një zone të rrethuar nga notarët dhe e goditi atë.
Avdia ishte duke notuar rreth 15 metra larg plazhit të Potamit në Shqipërinë jugore, kur Tase kaloi me varkën e tij në një zonë të kufizuar dhe e goditi.
Policia thotë se Tase, i cili është arrestuar, po çonte anëtarët e familjes së tij nga Porto Palermo, pesë milje poshtë bregdetit, në Potam kur ndodhi përplasja.
Me qindra qirinj dhe lule janë vendosur aty ku humbi jetën Jonada, si dhe para kryeministrisë.
Protestat kanë shpërthyer në të gjithë vendin të zemëruar për vdekjen, me dhjetëra marshues që u përleshën dje me policinë në kryeqytetin e Tiranës.
Ata janë thirrur për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Kreut të Policisë dhe Ministrit të Turizmit, duke akuzuar shtetin për vrasjen e Jonadës.
Është aksidenti i tretë i tillë që ndodh në plazhet e Shqipërisë këtë verë.
Një çift u plagos nga një skaf në plazhin e Jalës, gjithashtu në jug të Shqipërisë, muajin e kaluar, ndërsa një fëmijë shtatë vjeçar u plagos në një aksident vetëm dy ditë më vonë.
Top Channel