“Shtet si i juaji nuk ka më”/ Ministrja Ismaili në Kuvend: Berisha e përdorte SHIK-un për të djegur redaksi gazetash, si mund të harrohet precedenti Gazidede
Berisha mori sërish fjalën në foltoren e parlamentit dhe këmbënguli që në rendin e ditës të vendoset edhe çështja e akuzave ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni dhe komunikimeve të saj me Ergys Agasin gjate kohës që ky i fundit ishte në kërkim.
“Nuk mund të mbrohesh. Ju sot jeni më shumë se kurrë, Agas, Hysen dhe Ramë. Ju nuk keni asnjë interes tjetër përveç interesit tuaj. Si mund të qëndroni kështu ndaj këtij rasti të pashembullt në historinë e botës. Kërkoni ta mbuloni me historinë rozë. Kërkoni ta nxirrni Ramën jashtë kësaj. Janë historitë më të turpshme për një shtet.
Një vend i madh mik kishte planifikuar ta dekoronte me deklaratë të lartë. Dhe ju e nxirrni sot për avokati dhe jo si një dëshmi të madhe. U përpoq t’ia faturojë Vali Bizhgës. Jo more zotëri, shefi i kabinetit të kryeministrit nuk ka asnjë lidhje me kreun e SHISH. Vetëm dy lidhje ka kreu i SHISH, me kryeministrin dhe presidentin. Ka rënë siguria kombëtare, nuk mund të ketë parlament tjetër përveç kësaj.
Shqiptarët kërkojnë nga Parlamenti të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Njeriu i emëruar për sigurinë e tyre ka punuar me kartelet më të frikshme të vendit me autorizimin e Edi Ramës. Nuk ka pasur asnjë ditë si kjo në 35 vite. Fatos Klosi ka punuar me bandat dhe i ka përdorur kundër rivalëve politike, ndërsa kjo ishte një ushtare e bandës. Së fundmi thotë se e kishte bashkëpunëtor.
Sa e ulët, sa pa karakter. Si mund të toleroni diçka të tillë? Si mund të personifikoni veten tuaj me Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin? Jeni skllevër të padrinos, po po, të mëkateve tuaja, të drogës. Si mund të silleni sikur nuk ka ndodhur asgjë? Ndaj sot debati të jetë vetëm për këtë çështje dhe kreu juaj të njoftojë dorëheqjen dhe të vijë menjëherë këtu”, u shpreh Berisha.
Top Channel