Dorëheqja e parevokueshme e Mario Draghit nga post ii kreut të ekzekutivit, e zhyt sërish Italinë në krizë politike.
Tani vendi pret vendimin që do të marrë presidenti i Republikës, Sergio Mattarella. Duke cituar burime nga Quirinale, mediat në vendin fqinj publikojnë tre data kur mund të thirren italianët për të votuar në zgjedhjet e reja: 18 shtator, 25 shtator dhe 2 tetor.
Më e mundshmja, konsiderohet data e parë. Fjalimin e tij në sallën e parlamentit ku njoftoi lëvizjen e vet, Draghi e nisi me falenderime, të cilat u pasuan nga një duartrokitje e gjatë.
“Në dritën e votës së shprehur nga Senati mbrëmë, kërkoj që të pezullohet seanca për të shkuar tek Presidenti i Republikës për t’i komunikuar vendimin tim. Faleminderit për për gjithë punën e bërë në këtë periudhë. Ndonjëherë, edhe zemrat e bankierëve mund të preken”, tha Draghi.
Dorëheqja e tij, është pritur me keqardhje nga italianët e thjeshtë.
“Italia gjendet përballë problemesh të mëdha në këtë moment, të cilat lidhen me krizën e qeverisë por edhe më partnerët tanë europianë. Sinqerisht, shpresoj që Draghi ta mendojë edhe një herë dhe ekzekutivi të vazhdojë punën e tij kështu sic është, sepse situata është mjaft kritikë për vendin”, tha Alberto Ferrari, banor i Romës.
“Jemi dhe kështu në krizë, me luftën, me pandeminë: Draghi është një njeri shumë i respektuar në Europë. Është për të ardhur keq ky vendim i tij, shpresoja të mos mbërrihej deri këtu”, tha Marina de Micheli, banore.
Qeveria e unitetit kombëtar e zotit Draghi u shemb të mërkurën pasi anëtarët e koalicionit të tij të përbërë nga të djathtë, të majtë dhe populiste, kundërshtuan thirrjet e tij për t’u bashkuar dhe për të përfunduar mandatin e plotë të legjislaturës si dhe për të siguruar zbatimin e programit të financuar nga Bashkimi Evropian për rimëkëmbjen pas pandemisë.
Në vend të kësaj, partitë e qendrës së djathtë të Liga dhe Forza Italia si dhe Lëvizja populiste 5 Yjet bojkotuan një votëbesim në Senat, në një shenjë të qartë se i kishin dhënë fund bashkëpunimit me qeverinë 17 mujore të zotit Draghi.
Top Channel