Katër njerëz besohet se kanë humbur jetën sot nga një sulmues me thikë jashtë kontrolli brenda një spitali në Shanghai, teksa mjekë e pacientë shiheshin të vraponin të tmerruar për jetën e tyre.
Policia e zonës Huangpu rrethoi shpejt spitalin Ruijin mëngjesin e sotëm pas raportimeve për goditje me thikë.
Kur mbërritën në spitalin e kryeqytetit kinez oficerët gjetën sulmuesin që po mbante një grup njerëzish peng.
Ata thanë se kishin hapur zjarr pasi burri kërcënonte të lëndonte pacientët.
Të shtënat kishin sjellë “largimin e rrezikut nga sulmuesi” dhe gjendja e tij aktuale nuk është bërë e ditur nga autoritetet.
Policia kineze tha në një deklaratë: “Policia në vendngjarje gjeti sulmuesin e armatosur me thikë që mbante peng një grup njerëzish në katin e shtatë të spitalit”.
“Kur i dyshuari tentoi të lëndonte pengjet apo dhe policinë, oficerët qëlluan duke e plagosur dhe eliminuar rrezikun”, thanë autoritetet.
Deklarata shtonte se katër të plagosur që po trajtoheshin për plagët e marra “nuk tregonin shenja jete”.
Aktualisht motivet e sulmuesit mbeten të paditura.
Video të shpërndara në rrjetet sociale tregonin kaosin kur mjekët dhe vizitorët rrëzonin përtokë objekte teksa tentonin të largoheshin.
Disa doktorë shiheshin që shtynin pacientët në karrige me rrota, ndërsa një person nxirrej nga ndërtesa në një krevat me rrota.
Në një tjetër video në rrjetet sociale shihen dhjetra njerëz të tronditur që dalin nga ndërtesa.
Një prej dëshmitarëve tha për mediat: “Është shokuese, çfarë i ka ndodhur kësaj shoqërie?”
Krimet masive janë të rralla në Kinë, vend në të cilin ndalohen armët e zjarrit, por sulmet me thika ndodhin shpesh.
Muajin e kaluar një 23-vjeçar u vra në mes të ditës me thikë në qytetin Ningbo dhe pamjet e sulmit u bënë virale në rrjetet sociale.
Ndërsa dhuna në spitalet kineze është e zakonshme në Kinë shkruan britanikja The Sun.
Sistemi shëndetësor i vendit shfrytëzohet nga sekserë që shesin rekomandime për vizita dhe korrupsioni shton shumë kostot e trajtimeve, sipas mediave perëndimore.
Top Channel