Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian për emigracionin i tha Greqisë të enjten që të ndalojë dëbimet “e dhunshme” të emigrantëve ose në të kundërt rrezikon të humbasë fondet nga BE-ja.
Pasi u bë një nga destinacionet kryesore gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015-të, Athina e ka ashpërsuar politikën e saj gjatë vitit të kaluar duke shtuar patrullimet tokësore dhe detare, duke zgjeruar një gardh kufitar, dhe duke ndërtuar kampe me siguri shumë më të rreptë në ishujt e saj pranë Turqisë.
Greqia i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për të ashtuquajturat kthime të azilkërkuesve, duke thënë se ndalon varkat në det për të mbrojtur kufijtë e saj dhe ato të Bashkimit Evropian.
“Mbrojtja e kufirit të jashtëm të BE-së nga hyrja e paligjshme është një detyrim. Deportimet e dhunshme dhe të paligjshme të emigrantëve duhet të ndalen, tani,” tha komisionerja e punëve të brendshme, Ylva Johansson pas takimit me ministrat e qeverisë greke.
Ajo tha se Athina do të vendosë nga shtatori një sistem të ri për të mbrojtur të drejtat themelore, por nuk dha detaje të mëtejshme. Zyrtarët grekë ende nuk kanë komentuar mbi deklaratat e saj.
“Financimi është i lidhur me zbatimin e të drejtave themelore të BE-së”, shtoi ajo.
Greqia deklaroi muajin e kaluar se nuk do të lejonte hyrjen e jashtëligjshme të emigrantëve nga rrugët detare ose tokësore, pas një rritjeje të tentativave përmes ishujve të saj në Egje dhe kufijve tokësorë me Turqinë.
Gjatë një adresimi në Parlamentin Evropian, ministri grek për emigracionin, Notis Mitarachi deklaroi se edhe BE-ja duhet gjithashtu të bëjë më shumë për të ndaluar varkat me emigrantë që vijnë nga Turqia, me të cilën Greqia ka përplasje të vazhdueshme mbi emigrantët dhe çështje të tjera.
“Greqia pret një rol edhe më aktiv të institucioneve të BE-së duke i bërë thirrje Turqisë për t’iu përmbajtur angazhimeve të saj,” tha ai. “Sipas një numri të konsiderueshëm dëshmish nga azilkërkuesit, autoritetet turke po inkurajojnë në mënyrë aktive udhëtimet e paligjshme të emigrantëve drejt Greqisë.”
Fluksi i emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika në vitin 2015-të mbingarkoi kapacitetet sociale dhe ato të sigurisë në Bashkimin Evropian.
Numri i të ardhurve kishte rënë ndjeshëm që atëherë, por në javët e fundit, autoritetet greke thanë se kishin ndaluar një numër të konsiderueshëm njerëzish të hynin në territorin e tyre.
Rreth 47,000 njerëz mbërritën përmes detit në Itali, Greqi, Spanjë, Qipro dhe Maltë deri më tani këtë vit, tha agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR. Vendet mesdhetare presin mbi 150,000 ardhje këtë vit pasi mungesa e ushqimit të shkaktuar nga konflikti në Ukrainë kërcënon rritjen e numrit të emigrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme.
Top Channel