Skuadra e Tiranës është rikthyer në Tiranë pas fazës përgatitore që zhvilloi në Turqi në prag të ndeshjes së parë europiane që do të luajnë më 5 korrik në Luxemburg kundër Dudelange.
Bardheblutë kanë pushuar vetëm një javë nga mbyllja e sezonit të shkuar që u shpallën kampion, megjithatë trajneri Orges Shehi tregon se ky fakt nuk ka ndikuar në atmosferën e djemve.
Orges Shehi, trajner i Tiranës: Atmosfera është shumë e mirë tek skuadra ska arsye përse të mos jenë në humor apo në ritëm lojtarët. Në Champions League nuk luhet gjithmonë.
Kanë kaluar javë që nga përcaktimi i shortit dhe tani Tirana dhe Shehi kanë më tepër informacion për kundërshtarin e tyre luksemburgas.
Orges Shehi: Ndoshta nuk është një skuadër me emër të madh por do të bëjmë gabim nëse e konsiderojmë një ekip të lehtë. Eshtë një kundërshtar shumë i fortë ne nuk kemi frikë por kemi respekt maksimal. Besoj se shancet janë 50 me 50.
Mesfushori bardheblu Enur Totre e njeh edhe më mirë këtë kundërshtar pasi ka luajtur ndaj tyre në kohën kur aktivizohej tek Shkëndija e Tetovës.
Enur Totre, futbollist i Tiranës: Një skuadër që luan mirë futboll por besoj se ne i kemi të gjitha mundësitë dhe mund të them që është një kundërshtar i kalueshëm.
Ndeshjen e kthimit Tirana do ta luaj në kryeqytet në stadiumin Air Albania, duke konfirmuar zyrtarisht një fushë që ka prodhuar jo vetëm lojë por edhe paraqitje shumë të mira për kampionët e vendit vitin e kaluar.
Top Channel