“Procesi i Berlinit do të rikonfigurohet këtë vjeshtë”/ Bregu: Fondet duhet të jenë më të mëdha

27/06/2022 21:57

Integrimi rajonal është i nevojshëm për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, thotë Majlinda Bregu.

Duke theksuar se ky proces nuk e zëvendëson rrugën drejt Bashkimit Europian, në intervistën me gazetarin Sokol Ballan ë “Top Story”, sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, thotë se bashkëpunimi rajonal zhvillon vendet dhe tërheq më shumë investitorët e mëdhenj.

“Secili nga vendet e rajonit është një treg shumë i vogël, që i marrë më vete, nuk është interesant për një investitor të madh. Një investitor i madh vjen me kërkesa për një treg dhe krah pune më të kualifikuar, që e ka të vështirë t’i gjejë jo vetëm në një vend. Për shembull, e përmend disa herë rastin ku ministri që mbulon inovacionin dhe teknologjinë në Maqedoninë e Veriut, më tha kur një kompani gjermani erdhi të më kërkonte 1.000 specialiste IT për biznesin dhe ne nuk i kemi tha. Në rast se ne nuk do të bënim të mundur njohjen e procesit të diplomave dhe titujve akademikë dhe në rast se nuk do të kërkonim që të funksiononim në një proces për të forcuar tregun e përbashkët, do të jetë gjithmonë e më e vështirë për të qenë një treg interesant për investitorët e mëdhenj. Por kjo nuk do të thotë se nëse bëhemi mirë brenda vetes, kjo është e mjaftueshme për të gjithë”.

Ka një lloj ndërgjegjësimi se kur ke nevojë, dera e parë që do trokasësh, është dera e fqinjit. Për këtë arsye, procesi i bashkëpunimit rajonal, vit pas viti, ka pasur një mbështetje më të rritur, thotë Bregu, ndërsa shton se për këtë arsye është krijuar Procesi i Berlinit.

“Në momentin kur procesi i integrimit europian ose i zgjerimit filloi të ftohej, në 2014, nisi Procesi i Berlinit, pra për të mbajtur të gjashtë vendet e rajonit, liderët politikë, proceset e zhvilluara, afër. Si për t’u dhënë një mundësi për t’u forcuar brenda vetes deri në momentin që së bashku od të bëheshin vende anëtare të Bashkimit Europian. Por as kjo nuk rezultoi dhe nuk përfundoi si një histori suksesi, duke qenë se do të vazhdojë me fazën e dytë të Procesit të Berlinit”.

Bregu zbulon se Procesi i Berlinit do të rikonfigurohet këtë vjeshtë.

“Këto janë informacionet e fundit, të paktën nga vjeshta e këtij viti, ne presim që të kemi një qartësi më të madhe. Mund të ketë një samit të ri të Procesit të Berlinit, përkoi me largimin e kancelares Merkel, e cila ishte autorja kryesore e këtij procesi. Sigurisht që lufta në Ukrainë e shtyu vendimmarrjen në kancelarinë gjermane, por do të ketë një rivendosje në skenë, gjatë vjeshtës së këtij viti”.

Problemi tjetër që e shoqëron këtë proces janë fondet, thotë Bregu.

“Sepse përveç takimeve, përveç dialogut, përveç mundësive për të folur me njëri-tjetrin, për të bashkëpunuar, çdo proces kërkon një investim nga pas. Sot unë po dëgjoj përsëri, tezat që po dëgjojmë sot, dhe ato të propozuara nga Macron, kur rikujtoj dhe kthehem në kohë, se këtë të keqe ka kjo punë kur je marrë 20 vjet dhe i mban mend gjërat, më kujtohen propozimet tona të para, të paktën nga viti 2009, kur ne i propozonim Bashkimit Europian, një strategji të re për Fondet vjetore të asistencës që BE i jep vendeve në proces zgjerimi, që marrin vendet tona. Nuk kanë qenë pak, diku te 90 milionë euro. Dhe logjika të çon që një vend, para se të bëhet vend anëtar, është në proces se është më i prapambetur, ka më pak rrugë, më pak shkolla, më pak standarde të mira në institucionet e riedukimit, ka më pas mundësi për të investuar në sistemin shëndetësor… dhe logjika çon që fondet duhet të jenë më të mëdha para anëtarësimit. Që sot është një nga pikat bazë të propozimit të ri të presidentit francez për komunitetin e ri, pra një vend ecën, ndihmohet, financohet, bëhet pjesë e komunitetit, pjesë e Europës si kontinent pa qenë vend anëtar. Por duke qasur politikat një nga një. Dhe gjithë ky proces po rend, na pëlqen, s’ma pëlqen ne, po rend drejt këtij formati. Që do të thotë, si mund të jemi ne vend anëtar pa marrë anëtarësimin. Ne mund të kemi disa përfitime që kanë qytetarët europianë”.

Top Channel