Një patrullë e policisë rrugore e pozicionuar buzë rruge apo një radar automatik për matjen e shpejtësisë nuk janë të vetmet forma që policia e Tiranës monitoron shkeljet e drejtuesve të mjeteve.
Tashmë shkeljet monitorohen edhe nga ajri. Prej kësaj fundjave në terren ka nisur të përdoret “Droni edukues” për të identifikuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Pajisja më e re inteligjente konstaton kryesisht shkeljet rrugore të pozicionimit të mjeteve në korsinë apo karrexhatën e duhur, sipas drejtimit dhe qëllimit të lëvizjes, pasi nga analizimet e kryera shpesh kjo sjellje shkaktonte trafik të panevojshëm në shumë akse.
Top Channel ka siguruar video te filmuara gjatë kësaj fundjave nga droni edukues. Lëvizja në korsinë e gabuar filmohet nga ana e dronit dhe patrulla më e afërt vendos masën adminiatrative të parashikuar nga kodi rrugor.
Pavarësisht se intensiteti I lëvizjeve të mjeteve në Tiranë ka rënë, sërish mbeten problematike sjelljet e rrezikshme në drejtimin e mjeteve.
Vetëm gjatë kësaj jave policia rrugore e Tiranës ka arrestuar 39 persona nga të cilët 12 u konstatuan të dehur në timon dhe një tjetër nën efektin e drogës. Ndërsa 8 persona u arrestuan sepse drejtonin mjetin pa patent. Për shkelje të tjera të kodit rrugor vetëm gjatë kësaj jave në Tiranë janë pezulluar 258 leje drejtimi.
Policia rrugore është orientuar edhe në akset që të çojnë në bregdet ku dhe lëvizjet janë më të shpeshta. Uniformat blu monitorojnë qarkullimin me makinën inteligjente, radarët automatikë, dronin “edukues”, flotën e re të automjeteve, të pajisura me bazë logjistike bashkëkohore, si radarë që masin shpejtësinë në lëvizje dhe lexues automatikë të targave, si dhe me patrulla në lëvizje e me makina policie të paloguara.
Top Channel