“Ukrainasit mos kenë iluzione”, Rama për BE-në: Kur të na keni me vete, merrni më të mirën dhe përdorni çmendurinë tonë për t’u marrë me të tjerët

25/06/2022 15:19

Nga Austria, i pranishëm në forumin mbi zgjerimin e BE-së, kreu I qeverisë shqiptare, Edi Rama foli sërish me tone të ashpra ndaj unionit. Ndonëse përshëndeti vendimin e BE për Ukrainën, Rama apeloi këta të fundit, të mos krijojnë iluzione.

“Shqipëria numëron 8 vjet, nuk është mjaftueshëm. Shpresoj për Ukrainën të mos jetë 117 vjet, por sigurisht është një rrugëtim ku duhet të japësh rezultate, ku duhet të reformohesh dhe edhe pse ukrainasit po bëjnë diçka që shkon përtej reformimit të vendit tyre, po bëjnë diçka të jashtëzakonshme, po ndalin dikë që kërkon të kundër reformojë rendin botëror, kjo është arsyeja pse e meritonin dhe kjo është arsyeja pse është një mrekulli që BE e bëri.

Në përpjekje për ta përmbyllur sepse është gjithnjë me rrezik të kesh një program austriak preciz dhe të kesh dikë nga Ballkani që flet. Për mbyllje do të doja të thoja se për këdo që ka lexuar Samuel Beckett “Në pritje të Godosë”, mendoj që është e lehtë që ta kuptojnë se pwrse jeta imiton teatrin dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë imitimi në realitet i Vladimirit dhe Estragonit në pritje të Godosë.

Ka një rresht aty që tregon diçka për ne dhe BE, natyrisht në gojën e Samuel Beckett.

Vladimiri i thotë Estragonit “Do të lëvizim” dhe Estragoni i përgjigjet “Po, le të lëvizim” dhe pastaj Samuel Beckett, i cili është dramaturgu, pra BE, nw kwtw rast, i thotë “Askush të mos lëvizë”. Pra, zgjedhja jonë nuk është shumë e ndërlikuar, mund të presim Godonë pa lëvizur apo mund të lëvizim vetë për të ringjallur shpirtin e Europës në rajonin tonë, për ta bërë të mundur në rajonin tonë që paqja të mos jetë më e kthyeshme në diçka të tmerrshme, dhe jemi shumë të mirë ne për të bërë gjëra të tmerrshme nga gjëra që duken të lehta për t’u zgjidhur, që bashkëpunimi të jetë normal dhe që katër liritë e Europës, lëvizja e njerëzve, mallrave, kapitalit, shërbimeve të jetë mënyrë se si ne jetojmë me njëri-tjetrin.

Ndoshta, ju keni dëgjuar që ky quhet Procesi i Berlinit dhe ne duam ta zbatojmë dhe për këtë kemi ndërtuar mjetin që e quajmë Ballkani i hapur.

Ballkani i hapur është pikërisht ky mjet për të zbatuar Procesin e Berlinit dhe kjo është ajo çfarë do të bëjmë.

Në fund, dua të përmend Kancelarin në një moment që ne po flisnim se si çështjet historike kur merren nga politikia për t’u zgjidhur bëhen më të pazgjidhshme se ç’janë në të vërtetë dhe më tha se nëse Austria do të kishte marrë këtë rrugë në përpjekje për të hapur çështje të vjetra historike dhe të përpiqej t’i trajtonte politikisht, kjo hapësirë këtu do të kishte qenë shumë herë më keq se sa Ballkani Perëndimor, edhe pse mendoj se është e pamundur, por prapë pasi në Ballkan ne kemi një cilësi që nuk e gjeni në asnjë vend tjetër të botës, ne prodhojmë shumë më tepër histori se sa ç’mund të tresim dhe vazhdon e vazhdon pa fund.

Ne kemi këtë histori të jashtëzakonshme të të qënit kaq të ndërthurur saqë sa më shumë përpiqemi të shkëputemi, aq më shumë ngërthehemi mes njëri-tjetrit, aq më shumë shkojmë teposhtë. Për ta mbylllur me një atmosferë më të gëzueshme. Është për të qeshur që kur gjendem me këta njerëz në Ballkanin Perëndimor në raste të ndryshme, ata e njohin gjuhën që flasin me njëri-tjetrin që unë nuk e njoh, madje edhe shqiptarët, e njohin këtë gjuhë, shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi dhe kanë këtë gjuhë që flasin të gjithë së bashku dhe unë jam i vetmi që nuk e kuptoj. Më pas ju them, a mund të mos flisni më këtë gjuhë të çuditshme dhe të vazhdojmë në anglisht?

Dhe pastaj më duhet të dëgjoj të thonë, se shqipja është edhe më e çuditshme. Po, ndoshta.

Por duke qenë një gjuhë më vete, të paktën s’kemi dikë tjetër të vijë e të na thotë është gjuha ime e të fillojë pastaj një debat se kush është kush, kështu që ata e kanë këtë problem, flasin të njëjtën gjuhë ndonjëherë dhe ju duhet të zihen me njëri-tjetrin nëse gjuha është e njërit apo e tjetrit.

Dhe kjo nuk resht kurrë.

Në Ballkan, ne kemi gjithnjë në mëndje se jemi më të vjetrit, ne shqiptarët mendojme se jemi më të vjetrit, ata që erdhën pas majmunëve në evolucionin e Darvinit, por po të pyesësh serbët, ata nuk të lënë hapësirë, lëre më grekët, të cilët edhe mund të pretendojnë se edhe vetë majmunët erdhën pas grekëve. Le të shkojmë te turqit. Ata mund edhe të nisin një zënkë të madhe edhe për kafen, nëse është kafe turke apo kafe greke. Një kafe mjaft e fortë që më mirë mos ta provoni, kështu që është e ndërlikuar.

Maqedonët apo maqedonëveriorët me bullgarët e njëjta gjë, kështu që kini durim me ne, të dashur miq, dhe mos harroni që pavarësisht të gjithë problemeve tona që më duhet t’i theksoj sepse kjo nuk nënkupton që jemi viktimë e ndonjë padrejtësie, nuk është kaq e thjeshtë, është më komplikuar se kaq . Jemi të gjithë viktima të historisë sonë e herë-herë viktima të vetvetes, por jemi njerëz të mirë, jemi njerëz besnikë dhe jemi të çmendur. Kështu që më mirë të na keni me ju dhe kur na keni me vete, merni më të mirën nga ne, mënyrën tonë të të qënit mirë, të të qënit besnik edhe mund ta përdorni, çmendurinë tonë për t’u marrë me të tjerët.”- u shpreh Rama.

Top Channel