Bashkim doganor dhe lehtësi në kufi/ Analistët komentojnë marrëveshjen mes Kosovës dhe Shqipërisë: Problem barrierat jotarifore dhe standardet e dyfishta

20/06/2022 21:43

Në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, sot u dakordësua marrëveshja që i hap rrugë bashkimit doganor dhe lehtësive në tregtinë mes vendeve.

Në një diskutim këtë mbrëmje në “Top Story”, analistët janë të mendimit se bashkëpunimi mes dy qeverive është pozitiv, por duhet më shumë punë për të zgjidhur disa çështje si tarifat jodoganore dhe vendosja e standardeve të njëjta mes dy vendeve.

“Bashkimi doganor proces i gjatë, nuk mbaron vetëm me një firmosje”, shprehet Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Çështja që krijon konflikt ka të bëjë me barrierat jotarifore dhe teknike. Kemi bërë debat për qumështin, çimenton, grurin. Nuk bëhet fjalë vetëm për trajlerat e Shqipërisë dhe Kosovës. Janë trajlerat që vijnë në Durrës dhe kalojnë në Kosovë për të shkuar më pas në shtetet e tjera”, argumenton gazetari i ekonomisë, Bardh Sejdarasi.

Megjithatë, shton gazetari, marrëveshjet mes dy vendeve janë realizuar pjesërisht dhe duhet më shumë vullnet nga palët.

Profesori Ardian Civici thekson se “duhet të pranojmë standarde të përbashkëta për të dyja vendet, ndërkohë që barrierat jotarifore janë dhe midis vetë vendeve të rajonit”.

Nga ana tjetër, zëvendës ministri i Financave Besart Kadia vlerëson se me marrëveshjen e firmosur reduktohet me 90% kontrolli i mjeteve që transportojnë mallra.

“Shqetësim ka qenë dhe koha që u duhej trajlerave për t’u skanuar. Është vendosur që nga 100%, kontrolli të bëhet në 10%. Pra, në bazë të riskut, vetëm një pjesë e tyre të kontrollohen. Kjo është pozitive”.

Marrëveshje u firmosën sot në Prishtinë edhe për projekte me rëndësi në infrastrukturë dhe energji, duke vënë fokusin kryesisht te zhvillimi i Portit të ri të Durrësit që pritet të ketë edhe Portin e Thatë në Prishtinë si dhe projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Palët shprehën angazhimin duke nënshkruar marrëveshje të tjera edhe në fushën e bujqësisë, turizmit, shëndetësisë, arsimit dhe sigurisë publike, qoftë në shkëmbimin e informacionit apo edhe përvojave mes dy vendeve në këto sektorë.

Palët kanë nënshkruar rreth 127 marrëveshje gjatë mbledhjeve të qeverive ndër vite, por deri më tani vetëm 65 prej tyre po gjejnë zbatim.

Firmosja e memorandumeve të reja të bashkëpunimi vjen në vazhdën e përpjekjeve për të lehtësuar gjithnjë e më shumë jetën e qytetarëve mes vendeve.

Top Channel