Kryeministri britanik, Boris Johnson thotë se Eurovision duhet të mbahet në Kiev vitin e ardhshëm. Ky koment vjen pasi Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) tha një ditë më parë se ka nisur diskutimet me BBC për ta zhvilluar edicionin e ardhshëm në Britaninë e Madhe për shkak të luftës.
EBU iu drejtua BBC -së për të zhvilluar festivalin në Britani pasi Sam Ryder, i cili përfaqësoi Mbretërisë së Bashkuar këtë vit u rendit në vendin e dytë. Por Johnson këmbëngul se duhet të jetë Ukraina vendi ku duhet të zhvillohet, me besimin se lufta do të ketë mbaruar deri vitin e ardhshëm.
“Nuk mendoj se është e drejtë. Shpresoj që Unioni Evropian i Transmetuesve ta pranojë këtë. Kjo gjë është një vit larg. Ukrainasit e fituan atë në mënyrë të drejtë. Edhe pse ne patëm një përfaqësim të shkëlqyer, mendoj se atyre duhet t’u jepet shansi për ta pritur eventin“, tha ai.
Grupi rep-folk ukrainas “Kalush Orchestra”, të cilit iu dha leja speciale për t’u larguar nga vendi për të konkurruar, u ngjit në vendin e parë me 631 pikë, si një shfaqje simbolike e mbështetjes publike pas pushtimit të Rusisë.
Pavarësisht se fitoi votën e jurisë në ngjarjen në Torino të Italisë, Sam Ryder i cili përfaqësoi Britaninë, doli i dyti – rezultati më i mirë i vendit që nga viti 1998.
“Ukrainasit e fituan atë në mënyrë korrekte, edhe pse ne patëm një përfaqësim të shkëlqyer, dhe atyre duhet t’u jepet shansi për të qenë organizatorë”, ka deklaruar Johnson.
Ukraina ka thënë tashmë se nuk është e kënaqur me vendimin dhe thotë se beson se do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë për ngjarjen, pavarësisht kërcënimit të pushtimit të vazhdueshëm rus.
Ministri ukrainas i Kulturës, Oleksandr Tkachenko, ka thënë se do të kërkojnë ndryshimin e vendimit.
Top Channel