Qeveria do të marrë nën administrim bashkitë që janë në krizë financiare. Ultimatumin e dha vetë kryeministri Edi Rama, por urdhri është edhe më i hershëm.

Në vitin 2019, Ministria e Financave përmes një udhëzimi të posaçëm  “Për procedurat e menaxhimit të vështirësive financiare për njësitë e qeverisjes vendore” parashikonte vendosjen e një administratori të përkohshëm në krye të bashkive problematike.

Ndërsa bashkitë e cilësuan asokohe si cënim të autonomisë së pushtetit vendor, për Financat nga ana e tyre qëllimi ishte vetëm shëndoshje e autonomisë vendore.

Por, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë edhe pse një pjesë e njësive të pushteti vendor po hasin vështirësi financiare dhe nuk po shlyejnë dot detyrimet e prapambetura.

Pavarësisht përpjekjeve, stoku i detyrimeve të pashlyera të pushteti vendor mbetet i lartë. Të dhënat zyrtare flasin për një borxh të akumuluar të bashkive në 6.6 miliardë lekë deri në fund të vitit 2021, rreth 2300 lekë për frymë.

Sipas statistikave Ministrisë së Financave, mbi gjysma e borxhit mbartet nga 8 bashki të vendit. Bashkia Kavajë ka edhe nivelin më të lartë me 820 milionë lekë, ndjekur nga bashkia Tiranë me 653 milionë lekë detyrime të prapambetura por kjo bashki ka edhe sasinë më të madhe të të ardhurave.

Në gjendje më të keqe është bashkia e vogël e Vorës me 516 milionë lekë por dhe Malësia e Madhe, Pogradeci, Durrësi, Lezha dhe Kamza.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin detyrimeve të pashlyera për investime dhe punë të kryera për pushtetin vendor, ndjekur nga detyrimet për shërbime por edhe nga mospagesa për vendimet gjyqësore.

Sipas Financave Vendore bashkitë Kavajë dhe Vorë ndodhen në vështirësi serioze financiare bazuar në nivelin e borxheve dhe detyrimeve të tyre të prapambetura si dhe shpenzimeve vjetore të tyre, ndërsa me risk paraqitet situata edhe për bashkinë Belsh, Malësi e Madhe, Cërrik, Poliçan dhe Roskovec.

Top Channel