Prioritetet e Shqipërisë për muajin qershor i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit, u shpreh Feit Hoxha, në fjalën e parë pasi Shqipëria mori presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB.
“Është privilegj dhe nder për mua t’ju drejtohem në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit, i pari për vendin tim, Shqipërinë, dhe të ndaj me ju pikat kryesore të programit të punës së Këshillit për muajin qershor.
Takimi me ju është një moment i rëndësishëm për çdo presidencë dhe nuk është e çuditshme që pas miratimit formal të Programit të Punës, kjo është ngjarja e parë me rëndësi. Më lejoni t’ju them se, përveç kolegëve në Këshill, ju jeni në fakt ndër ata që takojmë dhe përshëndesim çdo javë në këndin tuaj të privilegjuar medietik.
Dëshiroj t’ju bëj një nderim të gjithëve, individualisht dhe kolektivisht, për punën dhe përpjekjet tuaja, për profesionin tuaj, për këtë detyrë fisnike të informimit të opinionit publik për punën e Këshillit të Sigurimit. Ne jemi dhe do të mbetemi të përkushtuar ndaj një Këshilli të Sigurimit efikas dhe transparent gjatë këtij muaji, dhe unë pres me shumë dëshirë për një marrëdhënie të shëndetshme dhe me përfitim reciprok. Dhe faleminderit që nuk shkruani që ndonjëherë ne, shtetet anëtare përfundojmë duke e përsëritur veten, pasi është në mënyrë të pashmangshme pjesë e jetës komplekse të multilateralizmit, dhe veçanërisht, e jetës dinamike të Këshillit të Sigurimit që unë e quaj “vendi ku dritat kurrë nuk fiken”.
Qershori konsiderohet tradicionalisht një muaj i ngarkuar. Ky vit nuk bën përjashtim. Programi i Punës për muajin qershor është i ngjeshur“, e nisi fjalën e tij Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.
Hoxha bëri me dije se presidenca shqiptare do të nisë punën me një debat të hapur të nivelit të lartë për forcimin e llogaridhënies për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare. Këtë debat do e drejtojë kryeministri Edi Rama ditën e nesërme, temë e cila do të jetë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për anëtarët e tjerë.
Ndërsa, në 15 qershor, do të jetë një Debat i Hapur i nivelit të lartë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me titull: “Mbajtja e premtimeve: Roli i organizatave rajonale në zbatimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”, që do të drejtohet nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Shqipëria i është bashkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si anëtar jo i përhershëm ku ka marrë edhe përgjegjësinë e bashkë-penëmbajtësit me Shtetet e Bashkuara, për çështjen e Ukrainës. Ndonëse një vend i vogël, Shqipëria në Këshill ka treguar vendosmëri përkrah SHBA në udhëheqjen e këshillin me disa rezoluta për Ukrainë
Top Channel