Cikalleshi: Jemi me fat që u përjashtua Rusia, ja ku ndryshojnë Islanda dhe Izraeli

30/05/2022 21:12

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi theksoi sot se fati më i madh i përfaqësues shqiptare për ndeshjet e Nations League është mungesa e Rusisë.

Në konferencën e dhënë për mediat, 31-vjeçari deklaroi se djemtë “kuqezi’ do e bëjnë diferencën vetëm si një grup i tërë, pa diferenca në reparte.

Cikalleshi zbuloi ndër të tjera edhe diferencat mes Islandës dhe Izraelit dhe shtoi se kundërshtari i parë ka më shumë forcë fizike se taktikë.

Si po ecën grumbullimi?

Jemi në fund kampionati, por këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar në stërvitje. Gjithçka po shkon shumë mirë, sipas planit, edhe pse na ndajnë edhe shumë ditë nga ndeshja e parë, shpresoj të mos kemi dëmtime.”

Grupi ku bëni pjesë është më i thjeshtë pa Rusinë?

“Është një grup ku ne do të kërkojmë dhe tentojmë më të mirën, por duhet të kemi parasysh që do kemi dy ekipe që nuk mund të them me shumë diferencë nga ne. Kemi fat që Rusia nuk do jetë pjesë e grupit. Duhet të përqendrohemi te ndeshja e parë, pasi fillimi i mbarë është gjysma e punës. Islanda është një ekip shumë i fortë fizikisht, por besoj se mund t’ja dalim. Duke korrigjuar gabimet besoj se do kemi mundësinë t’i bëjmë të gjithë shqiptarët krenarë.”

Sulmi, pjesa më e fortë e Kombëtares

“Për sulmuesit është shumë e rëndësishme të shënojnë në ekipet e tyre, sepse vjen në Kombëtare më i motivuar, por për të arritur rezultate pozitive ne duhet të bëjmë mirë si grup i tërë, vetëm kështu mund të bëjmë diferencën. Kemi një mbrojtje të qëndrueshme, një mesfushë të mirë si dhe sulmin. Por siç e thash grupi është ajo që do na çojë përpara.”

Islanda apo Izraeli, kush është kundërshtar më i vështirë?

Janë dy kundërshtarë të ndryshëm. Islanda është më shumë fizike, kemi pasur dy ndeshje vitet e fundit me të, humbëm një në Island dhe fituam një brenda, atje do jetë një përballje fizike. Ndërsa Izraeli është ekip më shumë teknik. Kam luajtur me Izraelin, nuk bënin diferencë të madhe edhe pse atë kohë ishin më mirë seç janë sot, por nuk duhet t’i nënvlerësojmë. Megjithatë ndeshja e parë është më e rëndësishmja dhe nëse marrim rezultat pozitiv mund të tentojmë vendin e parë.”

E ardhmja

Unë firmosa kontratën e re me Konyasporin, pata një vlerësim nga klubi dhe i falenderoj. Jam i kënaqur me karrierën time, kam pasur një rritje dy vitet e fundit. Jam shumë mirë atje, kemi bërë punë të mirë u renditëm në vend të tretë dhe jemi në Conference League. Klubi ka plan për të vazhduar rritjen, besoj se do jem pjesë e Konyaspor edhe për disa kohë dhe jam i lumtur.”/ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA