Vonoi lojën, mediat holandeze ironizojnë lojtarin e Romës: Nxënës i denjë i Mourinhos!

26/05/2022 13:39

Në stadiumin Air Albania, Roma ia doli të fitonte edicionin e parë të Conference League teksa mposhti në finale me rezultatin 1-0, holandezët e Feyenoord. Verdhekuqtë iu falën një goli të Nicolo Zaniolos në pjesën e parë ndërsa në vazhdim menduan më shumë për të administruar rezultatin.

Sigurisht, kur ndeshjes po i afrohej fundi, italianët nisën të luanin edhe me nervat e kundërshtarit teksa vononin lojën në mënyra të ndryshme edhe pse u munduan të mos e bënin shumë të dukshme këtë pjesë.

Megjithatë, Tammy Abraham nuk e “vrau” shumë mendjen në këtë aspekt dhe pas një faulli të fituar në gjysmëfushën e kundërshtarëve, teksa ishte i shtrirë në tokë i “shkeli syrin” Jose Mourinhos, si për t’i konfirmuar portugezit se gjithçka po shkonte sipas planit.

Nga ana tjetër, kaq ka mjaftuar që mediat holandeze të sulmojnë britanikun e verdhekuqve, por pa harruar të hedhin edhe një “kunj” ndaj teknikut portugez. “Abraham e tregoi se është një nxënës i denjë i Mourinhos. Qëndron në tokë dhe shpenzon shumë kohë. Epo, ka një arsye pse janë lojtarë të Mourinhos, nuk është faji i tyre”, shkruhet me ironi në mediat holandeze. Video 

Top Channel