Në karrierën e tij të shndritshme menaxheriale, Jose Mourinho ka shijuar arritje më të mëdha, por triumfi i Romës në Conference League, e bëri të përlotet pasi i dha klubit italian trofenë e tij të parë madhore europiane.

Kompeticioni i klubeve të Europës mund të mos jetë më i madhi që ekziston, por për Mourinhon fitorja ndaj Feyenoord ishte po aq e rëndësishme sa dy triumfet e tij në Champions League me Porton në 2004 dhe Inter Milan në 2010, thotë BBC.

Mourinho bëhet trajneri i parë që fiton të tre kompeticionet kryesore europiane, pasi shënoi pesë fitore në pesë finale.“Futbolli ka të bëjë me fitoren dhe Mourinho fiton”, tha ish-mesfushori i Manchester United, Owen Hargreaves në BT Sport.

“Ai është një fitues serial dhe e ka sjellë në jetë këtë ekip të Romës”. Ky ishte trofeu i 26-të i karrierës menaxheriale të Mourinhos – 19 vjet pasi ai orkestroi fitoren e Portos në Kupën Uefa në 2003. Majin e kaluar, u caktua trajner i Romës e iu ngarkua detyra e rimëkëmbjes së klubit që kishte përfunduar në një vend zhgënjyes të shtatë në Serie A në 2020-21.

“Mourinho tha se trofeja nuk ishte pjesë e planit. Plani ishte të rindërtohej ky ekip” thotë Joe Cole, që luajti në drejtimin e Mourinhon te Chelsea. Vetë tekniku portugez shprehet se “gjëja më e mirë në karrierën time është se, përveç Europa League me Manchester United, ajo që arrita të bëj me Porton, Interin dhe Romën është shumë, shumë e veçantë.

Është një gjë të fitosh kur të gjithë e presin, kur ke bërë investime për të fituar, por është krejt tjetër të fitosh atehërë kur diçka krijon ndjesinë e të pavdekshmes. Kjo mbetet në historinë e Romës, por edhe timen. Më thanë se vetëm unë, Sir Alex [Ferguson] dhe Giovanni Trapattoni fituam trofe në tre dekada të ndryshme. Më bën të ndihem pak i vjetër, por është mirë për karrierën time”, ishte komenti i tij.

Top Channel