Finalja/ Nga siguria në stadium te aktivizimi i biletave, ja si do të hyjnë tifozët në “Air Albania”

25/05/2022 14:18

Stadium duket se do të jetë zona më e sigurt sonte në Tiranë, pasi janë marrë të gjitha masat për futjen e tifozëve që kanë bileta në stadium dhe ndarjen në tribuna.

Përgjegjësi i steward-ëve, Naim Dani, në një intervistë me gazetarin e sportit Endi Tufa shpjegon si do të bëhet kontrolli i tifozëve.

“Do të jetë kontrolli i pari nga policia e shtetit, që do të jenë në zonën e ambasadës italiane, te Presidenca, tek ish-Garda, te Poligoni. Do të bëhet kontrolli fizik dhe do të bëhet kontrolli vizual i biletës. Të gjithë janë të detyruar të hapin telefonin dhe të tregojnë biletën”.

Detaji që jo të gjithë e dinë, është se kur aktivizohet bileta, duhet të keni hapur Bluetooth-in në celularin tuaj, shpjegon Dani.

“Pastaj janë disa pika kontrollit ku do të futen të gjithë sportdashësit që kanë bileta, të ndarë sipas numrave. Mjafton të shohësh në fund të biletës majtas dhe orientohesh direkt”.

Gjatë gjithë ditës do të jenë rreth 60 steward në stadium dhe kemi marrë masat e duhura që çdo gjë të shkojë mirë, shton Dani.

Roma dhe Feyenoord-i do të përpiqen sot në “Air Albania”, të marrin një trofe pas shumë vitesh.

Mijëra tifozët e të dyja skuadrave që luajnë këtë të mërkurë në ndeshjen finale të UEFA Conference League, presin të festojnë triumfin e skuadrës së tyre, por gjithçka do të zbulohet në fushë, duke nisur nga ora 21:00.

Përveç kupës, skuadra fituese do të marrë dhe 5 milionë euro, ndërsa skuadra tjetër që do të shpallet nënkampione do të marrë 3 milionë euro.

Top Channel