PD, përplasje gjykatësit/ Berisha ankohet në Vetting për Blerina Muçën, Bardhi ankimim për Zhukrin

10/05/2022 19:39

Kur Blerina Muça të dalë para Vettingut atë do ta presë edhe kjo ankesë e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, ç’ka bën të qartë se kritikët e Vettingut kanë besim tek ky proces ndaj gjyqtares që e zhvendosi betejën për drejtimin e Partisë Demokratike në Gjykatën e Apelit.

Kërkesa e demokratëve të Rithemelimit drejtuar kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko e bën të pashmangshme kontrollin e gjyqtares Muça kur t’i vijë koha për të kaluar sitën e Vettingut për kriterin e aftësisë profesionale.

Por, emri i gjyqtares Muça, e cila legjitimoi Enkelejd Alibeajn si palë ankimuese duke dalë kundër gjyqtarit Agron Zhukri, do të jetë në të njëjtën tavolinë të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë me kolegun e saj.

Dhe në këtë pikë sërish Partia Demokratike është e ndarë, pasi për gjyqtarin Zhukri hetimin e kërkoi Gazmend Bardhi, kurse hetimin ne ILD të Blerina Muçajt e kërkon grupi i Rithemelimit.

Në shkresën me protokoll numër 64, datë 10 Prill kërkohet marrja e masës së pezullimit nga detyra të Blerina Muçës derisa hetimi administrativ të mbyllet. Si hap të dytë PD e Rithemelimit kërkon që ILD të deklarojë në Këshillin e Lartë Gjyqësor shkarkimin e gjyqtares për shpërdorim të rëndë të detyrës.

Në pritje të vendimit tw Apelit, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij duket se i druhen një rrëzimi të mundshëm të vendimit Zhukri, ç’ka do nxirrte sërish nga zyrat Komisionin e Rithemelimit.

Por, më tepër sesa një “hakmarrje” ndaj Blerina Muçës, ankimimi i Rithemelimit duket si një reagim kundër peshues në favor të Agron Zhukrit, karriera e të cilit rrezikohet pas vendimit që riktheu Sali Berishën në selinë e Partisë Demokratike.

Top Channel