Fitorja ndaj Verona-s, Pioli zbulon fjalimin impresionues të Ibrës përpara ndeshjes

09/05/2022 11:09

Duke folur në konferencën për mediet pas fitores me përmbysje me rezultatin 1-3 ndaj Verona-s, trajneri i Milan, Stefano Pioli, zbuloi rolin e Zlatan Ibrahimovic në dhomë e zhveshjes.

Ai tregoi se Ibra mbajti një fjalim “të mrekullueshëm” përpara ndeshjes që ndezi skuadrën për të marrë fitoren ndaj Verona-s.

Milan bëri një hap të rëndësishëm në rrugën drejt titullit të Seria A, ndërsa fitorja u vendos nga dygolëshi i Tonalit dhe një gol i Florenzit.

“E dinim që nuk kishte të nesërme, ishte vetëm dita e sotme. Ibrahimovic tha diçka të mrekullueshme: ‘Të gjithë i mbajnë mend lojtarët e Milan që kanë fituar tituj të Seria A apo Champions League, kështu që nëse ne duam që të mbahemi mend, kemi tre ndeshje për ta bërë atë gjë.’”-ishte deklarata e Piolit, që përfshinte fjalimin e Ibrës përpara skuadrës.

Milan është tashmë vetëm dy ndeshje larg titullit të Seria A pas 11 vitesh, ndërsa Ibrahimovic po kërkon të marrë titullin e pestë personal të elitës së futbollit italian.

Skuadra e Piolit do të presë Atalantën në 15 maj, përpara se të hapin shampanjën në ndeshjen në transfertë ndaj Sassuolos shtatë ditë më pas.

Top Channel