Rritja e çmimeve, Italia miliarda euro ndihma për familjet dhe sipërmarrjet

04/05/2022 12:25

Qeveria italiane ka vendosur me një paketë lehtësimi të barrës për qytetarët, në mesin e krizës së çmimeve. 14 miliardë euro janë parashikuar të jepen kryesisht si ndihmë financiare për karburantet.

“Synimi është të sigurohet fuqia blerëse e familjeve të varfra dhe prodhimi i sipërmarrjeve“, deklaroi kryeministri Mario Draghi pas vendimit të marrë nga kabineti.

Llogaritet që shteti t`u japë 200 euro punëmarrësve, pensionistëve dhe atyre që punojnë të pavarur, të ardhurat e të cilëve janë më pak se 35 mijë euro në vit.

Sipas Draghit, kjo kategori njerëzish përfshin 28 milionë vetë, nga 60 milionë italianët. Parashikohen po kështu ulje taksash për sipërmarrjet që përdorin shumë energji.

Më parë qeveria kishte bërë të ditur, se duke pasur parasysh rritjen e madhe të çmimeve në pikat e karburantit si pasojë e luftës në Ukrainë, do të reduktonte për drejtuesit e automjeteve çmimin e karburantit me një ulje taksash, 30 cent për litër.

Po ashtu do të reduktohet edhe çmimi i gazit metan. Marrjen e masave për karburantet kabineti e vendosi fillimisht për muajin mars deri në maj, kur çmimet u rritën.

Ekonomisë italiane i ra aktiviteti me 0,2 përqind tremujorin e parë të vitit 2022, në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Shkak për këtë u bënë pandemia e koronavirusit dhe rritja e çmimit të karburanteve si pasojë e sulmit rus ndaj Ukrainës.

Për shkak të pasojave të luftës mbi çmimin e energjisë, qeveria italiane deklaroi që në muajin mars se do të taksonte më shumë fitimet e arritura nga sipërmarrjet energjetike, në mënyrë që të lehtësojë familjet dhe firmat e tjera. Taksat mbi fitimet plus do të financojnë paketën e ndihmave të tanishme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA