Avioni privat i miliarderit turk del nga pista dhe merr flakë në Libi, pezullohen fluturimet

14/09/2026 16:59

Një avion privat ka dalë nga pista gjatë uljes në aeroportin e Misratës në Libi, duke marrë flakë dhe shkaktuar alarm mëngjesin e së hënës, 14 shtator.

Bëhet fjalë për një avion Cessna 680A Citation Latitude, i cili raportohet se i përket miliarderit dhe biznesmenit turk Hamdi Akin. Sipas Ministrisë së Transportit të Libisë, nuk pati viktima apo persona të lënduar nga incidenti.

Avioni po udhëtonte drejt Libisë për të marrë pasagjerë dhe në bord ndodheshin piloti dhe një anëtar i ekuipazhit. Të dy arritën të shpëtonin pa lëndime.

Pas daljes nga pista, në vendngjarje shpërtheu zjarr dhe një re e madhe tymi të zi u ngrit në qiell. Ekipet zjarrfikëse mbërritën në aeroport dhe ndërhynë për të vënë nën kontroll flakët.

Sipas Agjencisë Libiane të Lajmeve (LANA), incidenti solli edhe pezullimin e fluturimeve në aeroportin e Misratës.

Top Channel