Sulmi rus ndaj trenit të pasagjerëve, Rutte: Nuk do të dekurajojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën

14/09/2026 18:05

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se sulmi me dron rus ndaj një treni pasagjerësh pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë nuk do ta dobësojë mbështetjen perëndimore për Kievin.

Sipas tij, sulmi tregon dëshpërimin e presidentit rus Vladimir Putin përballë vazhdimit të ndihmës perëndimore për Ukrainën.

“Ai mendon se mund të na ndalojë të mbështesim Ukrainën dhe se mund të minojë unitetin tonë. Ai gabohet. Përgjigjja jonë është të rrisim mbështetjen”, tha Rutte.

Sulmi ndodhi të dielën, kur një dron rus goditi një tren pasagjerësh pranë kufirit ukrainas me Poloninë. Sipas Hekurudhave Ukrainase, një tren që kishte kaluar pak më herët në të njëjtën zonë transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, ish-drejtorin e CIA-s David Petraeus, ish-kryeministrin suedez Carl Bildt dhe disa këshilltarë evropianë të sigurisë.

Autoritetet ukrainase thanë se treni diplomatik ishte nisur përpara afatit dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë objektivi i sulmit rus.

Reagimet nga vendet perëndimore kanë qenë të ashpra. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se qëllimi i sulmeve ruse është të frikësojë dhe të përçajë evropianët, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, e cilësoi sulmin si një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit.

“Duhet të veprojmë të kundërtën. Duhet të tregojmë se jemi aty për Ukrainën dhe nuk jemi të frikësuar”, tha Kallas.

Ajo theksoi se tërheqja përballë kërcënimeve ruse do t’i mundësonte Moskës të arrinte qëllimin e saj për nënshtrimin e Ukrainës. Një zëdhënës i Kallas konfirmoi gjithashtu se Bashkimi Evropian do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, duke përmendur vendimin e fundit për një këst prej 6.1 miliardë eurosh nga një kredi prej 90 miliardë eurosh për Kievin.

Sulmi ndaj trenit ishte pjesë e një vale të gjerë sulmesh ruse gjatë natës në territorin ukrainas. Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia përdori më shumë se 450 dronë dhe raketa, ndërsa të paktën gjashtë persona u vranë dhe mbi 40 të tjerë u plagosën. Forcat ukrainase deklaruan se kishin rrëzuar ose neutralizuar 405 dronë dhe katër raketa.

Rajonet e Ukrainës Perëndimore, të konsideruara zakonisht më pak të ekspozuara ndaj sulmeve sesa Kievi dhe zonat pranë frontit, u goditën veçanërisht rëndë. Sulmet shkaktuan gjithashtu paralajmërime për sulme ajrore në Poloni.

Kryeministri polak Donald Tusk tha se Polonia ishte paralajmëruar nga shërbimet e saj të sigurisë dhe nga agjenci aleate të inteligjencës për mundësinë e një sulmi të tillë. Ai paralajmëroi se javët dhe muajt e ardhshëm mund të shënojnë një periudhë të intensifikimit të veprimeve ruse.

Top Channel